

Në galeritë e Spaçit, tragjeditë e shkaktuara nga aksidentet ishin të shpeshta. Aksidentet janë faktuar nga një numër i madh dokumentesh arkivore si dhe nga dëshmitë e shumta të ish të burgosurve politikë, që u detyruan ti nënshtrohen punës skllavëruese dhe kushteve çnjerëzore në galeritë e Spaçit. Shkaku kryesor i aksidenteve ishin kushtet teknike jashtë çdo standarti të lejuar, sepse galeritë ishin të siguruara me metoda primitive. Këtij faktori i shtohej, sidomos në zonën ku nxirrej pirit, edhe terreni i paqëndrueshëm për shkak të natyrës së këtij minerali. Shpesh komanda e burgut për të realizuar normat e larta të nxjerrjes së mineraleve, i detyronte të burgosurit të shkonin e të punonin në fronte të rrezikshme, shpallur si të tilla edhe nga inxhinierët. Shpesh të burgosurit kundërshtonin të shkonin në këto fronte me rrezik, dhe për këtë arsye ndëshkoheshin nga komanda. Në dhjetra dëshmi të mbledhura nga Kujto.al, dëshmitarë okularë kanë rrëfyer se në pjesën dërrmuese të aksidenteve faji ishte i komandës së burgut që i dërgonte me forcë të burgosurit të punonin në frontet që ishin rrezik shembjeje. Pas aksidenteve, të plagosurit, kryesisht mjekoheshin në ambjenet e infermierisë në kamp. Ndërsa ata që humbnin jetën, varroseshin nga komanda e burgut në një terren sekret.
