Në kampin e Spaçit, ka ekzistuar edhe një dyqan, një godinë 4m X 4m, që ishte pranë barakës së kovaçit. Të burgosurit, duke iu referuar emrit të shitësit e quanin dyqani i Ndues. Dyqani ishte shtetëror, ndërsa shitësi, ishte i lirë dhe vinte çdo ditë në kamp, për të bërë punën që i ishte caktuar. Në dëshminë e Shkëlqim Abazit thuhet se “…në Revoltën e Spaçit të burgosurit politikë morën përsipër që mos të preket dyqani, qoftë edhe po të vdisnin për bukë njerëzit. Kanë lënë roje që e ruanin rreth e përqark se mund të kishte ndonjë që mund ta sulmonte. Pra nuk është prekur“.
Në dyqan zakonisht tregtoheshin produkte ushqimore: sheqer, miell, oriz, vaj. Kishte po ashtu edhe pak mjete kancelarike si: laps, stilolaps, ndonjë fletore, zarf, etj.
Por si blinin të burgosurit, ku paratë fizike nuk lejoheshin në kamp? Shkëqim Abazi shpjegon në dëshminë e tij: “Ne nuk kishim lekë, lekë fizikë. Ne kishim lekë, imagjinarë, nëse mund të themi kështu. Lekët tona ekzistonin në zyrën e llogaritarit, i cili shënonte paratë që fitonin vetë të burgosurit me punë, ose edhe ato që sillnin familjarët. Deri më 1972 ishte në fuqi ligji që “puno sa të duash ti, shuma më e madhe që do të marrësh do të jetë deri në 180 lekë të vjetër”. Llogaritari mbante shënim të ardhurat që ishin grumbulluar për çdo të burgosur. Para se të shkoje në dyqan do bëje porosinë tek llogaritari: dua 1 kg sheqer, 1 kg vaj, 1 kg makarona dhe ai të jepte një kupon. Hapte regjistrat atje dhe shikonte: Shkëlqim Abazi ka, po themi, 1 000 lekë. Nga 1 000 lekë do t’i zbresim 500 lekë. Dhe ngelen 500 lekë. Po të mos kishe s’të jepte kupon ai. Pra ky ishte leku që përdornim ne, kuponi..”.