

Referuar pamjeve të rralla, që mundën të filmoheshin pas rënies së diktatyurës, në fillim të fiteve ’90-të, kampi i Spaçit kishte këtë pamje. Të burgosurit e fundit politik u larguan nga ky kamp në qershor të vitit 1990.

Në rastet e rralla kur mbetej pak kohë e lirë para mbrëmjes, të burgosurit e kalonin kohën me biseda, lojëra të thjeshta, lexime vetjake dhe në fshehtësi mësonin edhe gjuhë të huaja. Mësimi i gjuhëve të huaja ishte i ndaluar nga komanda e kampit, dhe shpesh kjo ishte një akuzë që mblidhej në deponimet që bënin spiunët që ishin infiltruar nëpër dhomat e fjetjes dhe këto akuza shërbenin shpesh si prova për t’i ridënuar.
Në Spaç, të burgosurit që vdisnin nga aksidentet në minierë, nga sëmundjet, apo që pushkatoheshin në tentativë arratisje nga ushtarët e vendrojave, nuk ju ktheheshin familjeve. Ata varroseshin nga komanda e kampit, në një vend që ishte mbajtur sekret gjatë viteve të diktaturës dhe pas rënies së regjimit u mësua se ky vendvarrim ishte në Shpal të Mirditës. Në varret e të burgosurve nuk vihej emër por vetëm një numër. Familjarët i kanë gjetur një pjesë të varreve të të afërmve të vdekur në kampin e Spaçit sipas të dhënave të të burgosurit, që futeshin me një shishe të vogël qelqi brenda varrit, pranë kokës së viktimës.
Kamp-burgu i Spaçit kishte një infermieri me 8 shtretër. Kjo infermieri ishte menduar të përmbushte gjithë nevojat shëndetësore të kampit. Por, referuar disa periudhave kur fluksi i të sëmurëve ishte i lartë, ( të plagosur në aksidente, të ftohur, të helmuar nga ushqimi, apo gazet e nëntokës në galeri, sëmundje kronike, apo edhe shumë shqetësime të tjera shëndetësore ), infermieria nuk përmbushte as nevojat më minimale që kishin të burgosurit.
Në galeritë e Spaçit, tragjeditë e shkaktuara nga aksidentet ishin të shpeshta. Aksidentet janë faktuar nga një numër i madh dokumentesh arkivore si dhe nga dëshmitë e shumta të ish të burgosurve politikë, që u detyruan ti nënshtrohen punës skllavëruese dhe kushteve çnjerëzore në galeritë e Spaçit. Shkaku kryesor i aksidenteve ishin kushtet teknike jashtë çdo standarti të lejuar, sepse galeritë ishin të siguruara me metoda primitive. Këtij faktori i shtohej, sidomos në zonën ku nxirrej pirit, edhe terreni i paqëndrueshëm për shkak të natyrës së këtij minerali. Shpesh komanda e burgut për të realizuar normat e larta të nxjerrjes së mineraleve, i detyronte të burgosurit të shkonin e të punonin në fronte të rrezikshme, shpallur si të tilla edhe nga inxhinierët. Shpesh të burgosurit kundërshtonin të shkonin në këto fronte me rrezik, dhe për këtë arsye ndëshkoheshin nga komanda. Në dhjetra dëshmi të mbledhura nga Kujto.al, dëshmitarë okularë kanë rrëfyer se në pjesën dërrmuese të aksidenteve faji ishte i komandës së burgut që i dërgonte me forcë të burgosurit të punonin në frontet që ishin rrezik shembjeje. Pas aksidenteve, të plagosurit, kryesisht mjekoheshin në ambjenet e infermierisë në kamp. Ndërsa ata që humbnin jetën, varroseshin nga komanda e burgut në një terren sekret.
Temperatura në galeritë e piritit ndryshonte në mënyrë ekstreme krahasuar me temperaturën jashtë galerive, ku të burgosurit dilnin për të zbrazur vagonët. Brenda temperaturat varionin nga 50 deri në 60 gradë celsius, ndërsa jashtë në dimër tmeperaturat shënonin edhe -20 gradë celsius. Në periudhën e dimrit, të burgosurit punonin brenda në galeri të zhveshur, ndërsa kur dilnin jashtë vishin peliçet që i mbanin në hyrje për tu mbrojtur sadopak nga ndryshimi ekstrem i temperaturave. Për këtë shkak, sëmundja që zotëronte gjithmonë në kamp, ishte ftohja. Ajo i shoqëronte të burgosurit për aq vite sa ata ishin të detyruar të jetonin në atë ferr.