Referuar pamjeve të rralla, që mundën të filmoheshin pas rënies së diktatyurës, në fillim të fiteve ’90-të, kampi i Spaçit kishte këtë pamje. Të burgosurit e fundit politik u larguan nga ky kamp në qershor të vitit 1990.
Spiunimet në ambjentet e kampit ishin nje prej fenomeneve më të përhapura në Spaç, sikurse edhe në të gjithë burgjet e komunizmit. Spiunët ishin të burgosur, që komanda e burgut i infiltronte ne dhomat, ku kerkonte të vilte informacion mbi aktivitetin e të burgosurve të caktuar. Ata i mblidhnin informcacionet dhe i raportonin tek operativi i burgut (punonjës i strukturave të Sigurimit të Shtetit, në ambjentet e kampit). Këto raportime shërbenin shpesh për të ridënuar të burgosur, që ishin në prag të lirimit. Këto personana mbanin në vëshgim një të burgosur të tillë dhe kjo detyrë ju caktohej direkt nga operativi i kampit. Të infiltruarit shpesh vendoseshin në të njëjtën dhomë fjetjeje me të burgosurin që mbanin nën survejim.
Nëpër fjetore, mes të burgosurve qarkullonin fshehurazi vepra të përkthyera në shqip, që komanda e kampit nuk i lejonte. Ato kopjoheshin e rikopjoheshin dhe të dënuarit i kalonin dorë më dorë për ti lexuar. Po ashtu edhe shkrimtarët dhe poetët e dënuar, kanë qarkulluar poezitë e tyre. Por në kamp shpesh policët bënin kontrolle të imtësishme e nëse kapeshin, ato ishin shkak për ridënime. Ndaj dorëshkrimet përgjithësisht fshiheshin në minierë, në vende të ndryshme, si tubat e ajrimit ose vende të veçanta krijuar nga vetë të burgosurit në armaturën e drunjtë të galerive. Ish i burgosuri i Spaçit, Filip Janila ka lënë këtë dëshmi për fshehjen e dorëshkrimeve:
“I merrnim këto dhe kur dilnim në punë nga kampi i vogël, ku ishin kapanonet e fjetjes, dilnim te kampi i madh që ishte vendi i punës. Kur futeshim në minierë, brenda nëpër galeri, i fshihnim atje tek armaturat, që i mbushnin armaturat me dru. Atje bënim kutitë me çantë prej kartoni edhe me letër katrama nga jashtë, i bënim tamam si dollape, edhe i fshinim atje brenda”.
Kamp-burgu i Spaçit kishte një infermieri me 8 shtretër. Kjo infermieri ishte menduar të përmbushte gjithë nevojat shëndetësore të kampit. Por, referuar disa periudhave kur fluksi i të sëmurëve ishte i lartë, ( të plagosur në aksidente, të ftohur, të helmuar nga ushqimi, apo gazet e nëntokës në galeri, sëmundje kronike, apo edhe shumë shqetësime të tjera shëndetësore ), infermieria nuk përmbushte as nevojat më minimale që kishin të burgosurit.
Në periudha të caktuara, kur disiplina në kamp bëhej më e egër dhe të burgosurit revoltoheshin më tepër, edhe dhuna dhe ndëshkimet shtoheshin. Në këto raste, kur ndëshkoheshin shumë të burgosur njëherësh, në biruca futeshin deri në 6 apo 7 të burgosur bashkë në një qeli, të cilët duke pasur parasysh hapësirën tepër të ngushtë të birucave, nuk arrin as të uleshin e as të shtrinin këmbët.
Të gjithë ata që nuk arrinin ta plotësonin normën, ktheheshin me detyrim në galeri me turnin tjetër dhe mbaheshin me detyrim në punë deri në fund të turnit që pasonte, pa ngrënë dhe pa pushuar asnjë çast, derisa të plotësonin normën ditore. Policët ushtronin dhunë të jashtëzakonshme kur të burgosurit refuzonin të futeshin në galeri.