Tualeti ishte stacioni parë i ritualit që vijonte zgjimin. Pas daljes nga fjetorja, të burgosurit shkonin të gjithë për të kryer ritualet e mëngjesit. Tualeti në vitet e para të funksionimit të kampit ishte një barakë e madhe drejtkëndëshe, ku si mure shërbenin llamarinat dhe dërrasat, ndërsa çatia ishte prej eterniti. Pamje e saj e brendshme ishte si në këtë skicë. Në njërën anë të saj ishin VC-të, ku ata kryenin nevojat fiziologjike, të cilat ishin të hapura dhe pa dyer, duke e zhdukur plotësisht të drejtën e seicilit për intimitet. E vetmja ndarje ishte një mur i ulët rreth një metër që ndante hapësirat mes tyre. Brenda hapësirës së një tualeti ekzistonte vetëm një gropë, ku kryenin nevojat dhe përreth saj pak çimento ku të burgosurit vinin këmbët.