Në kthim, sapo mbërrinin në kamp, të burgosurit rebelë që refuzonin të punonin, futeshin në birucë ku mbaheshin të izoluar deri në 30 ditë. Në raportet zyrtare, zbulojmë se vetëm në gjysmën e parë të vitit 1980 kishin kaluar në birucë 118 të dënuar.
Në Spaç, ushqimi jepej i cilësisë së dobët dhe jashtë çdo standardi. Sipas dokumenteve arkivore dhe dëshmive të shumta mbledhur mes ish- të burgosurve, regjimi ushqimor ka ndryshuar vazhdimisht. Por në të shumtën e periudhës së funksionimit të këtij kampi normat ditore për të burgosurit, që punonin në minierat e Spaçit ishte kjo: 900 gramë buk në ditë. Në mëngjes kishte supë me perime sipas stinës, e cila ndonjëherë kishte edhe pak mish. Në drekë supë dhe një garuzhdë makarona ose oriz me pak mish. Norma ishte 40 gramë mish, por pothuajse asnjëherë nuk ua jepnin gramaturën që ishte me normë. Në mbrëmje jepej çaj dhe 20 gramë djathë të bardhë, ose në mungesë të tij 10 gramë kackavall e në kohë krize marmallatë molle ose fiku. Turni i parë e kishte regjimin ushqimor më normal, ndërsa dy turnet e tjera e kishin kaluar çajin në mëngjes, supën në drekë dhe në darkë supën dhe orizin ose makaronat. Kjo ishte përshtatur me orët kur ata dilnin për në punë dhe kur ktheheshin në kamp. Disa dokumente arkivore, por edhe shumë dëshmi të ish-të burgosurve, dëshmojnë për helmimet e shpeshta të të burgosurve nga ushqimi që jepej në kamp. Në një raport të datës 27 gusht 1979, komanda e burgut ishte ankuar për helmimin e 150 të burgosurve. Simptomat më të përhapura ishin dhembje barku dhe të vjella.
Në ato pak momente të lira që mbeteshin, pas rutinës, që ndiqnin të burgosurit pasdite me kthimin në kamp, lejohej edhe ajo që quhej ajrim, ose shetitje, që më së shumti bëhej në taracën mbi banjot, aty ku zhvillohej edhe apeli. Aty bëheshin edhe bisedat më të lirshme, pasi veshi i spiunit nuk arrinte të kapte frazat, që ata shkëbenin me njëri-tjetrin, siç ndodhte rëndom në dhomat e fjetjes.
Takimet me familjen bëheshin sipas një grafiku mujor të përcaktuar nga komanda e burgut. Të burgosurit kishin të drejtë të takonin familjaret e tyre 2 herë muaj nga 15 minuta. Po ashtu, ata mund të dërgonin në familjet e tyre 2 letra në muaj, ndërsa telegramet dhe kartolinat lejoheshin pa kufizim. Takimet bëheshin gjithmonë në prani të policëve.
Kuzhina private, ju shërbente të burgosurve për të gatuar ushqimet e pakta që merrnin ng afamilja përmes të cilave plotësonin disi dietën e tyre ushqimore. siç shpjegon ish dënuari i këtij kampi Shkëlqim Abazi, në vitet e apra të funksionimit të kampit, kjo kushinë ishte një barakë me llamarina ku në shesh kishin sajuar disa vatra për zjarr, diku me gurë apo me tulla, e diku tjetër me kamje hekuri (strukturë hekuri me tre këmbë, mbi të cilat vendosej ena ku gatuhej). Enet, një tenxhere ose një tigan, ishin po ashtu private, sjellë nga familja. Edhe enët, sikurse ushqimet e sjella nga familja mbaheshin në depon e ushqimeve.
Kjo është skicë e magazinës së veshjeve, ku të burgosurit, mbanin veshjet e tyre të punës dhe ku visheshin dhe bëheshin gati për të shkuar në minierë. Në magazinë mbaheshin kostumet prej peliçeje pambuku, çizmet e llastikut, pecet, kasketat e minatorit, etj.