Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Reparti i Fishtës dhe Lerasit

blank
Emri Reparti i Fishtës dhe Lerasit
Vendndodhja: Lezhë
Viti i Ndërtimit: 1972
Viti i Mbylljes: 1983
Burimi i Informacionit: Kastriot Dervishi,

Reparti i Fishtës dhe Lerasit funksionoi si repart për të rinjtë në periudhën 1972-1983

Kur reparti 315 u vendos në Fishtë kishte rreth 300 të dënuar. Pas pak arriti në 550 të dënuar, derisa në korrik 1973 u bënë 740 të dënuar, prej të cilëve 35 të dënuar për krime politike.  Të dënuarit janë shfrytëzuar për bonifikime, bujqësi, ndërtim. Të dhënat e vitit 1973 bëjnë fjalë se në repart vuanin dënimin rreth 700 të dënuar. Ata e vuanin dënimin të ndarë në dy sektorë: në Ishull Lezhë (rreth 200 veta) dhe në Fishtë (rreth 500 veta). Ndarja e të dënuarve ishte si vijon: 23 për krime kundër shtetit (politikë), 124 për vjedhje të pasurisë socialiste, 100 për krime seksuale, 20 për vrasje, 13 për aksidente, 120 ushtarë që kishin ikur pa leje nga repartet, 24 të padenjë, 120 të ndryshëm.

Në vitin 1974 reparti kishte rreth 670 të dënuar. Ata e vuanin dënimin në tre sektorë: 200 në Fishtë, 70 në Ishull Lezhë dhe 400 në Leras (Torovicë). Në repart ishin në këtë kohë gjithsej 17 bashkëpunëtorë të Sigurimit. Për ruajtjen e të dënuarve shërbenin 16 oficerë, 17 nënoficerë dhe 47 ushtarë. Në fund të vitit 1975 në repart ra sëmundja e leptospirozës (njolla në lëkurë).

Në vitin 1976 në repart punonin 962 të dënuar, prej të cilëve vetëm 30 politikë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre përbëhej nga 80 persona.

Të dhënat tregojnë se në vitin 1976 një pjesë e të burgosurve punonin në bujqësi në zonën e Bishtit të Jubës.

Në vitin 1977 në repart punonin gjithsej 1.070 të burgosur.

Sipas raportit të datë 15.9.1981 në repart ishin 750 të dënuar, 11 (5 për agjitacion e 6 për tentativë arratisje) prej të cilëve ishin dënuar për krime kundër shtetit. Pjesa tjetër ishte ordinere.

Të burgosurit punonin në 4 grupe me 4 brigada e punonin në bujqësi. Me amnistinë e vitit 1982 ishin liruar 523 të dënuar, prej të cilëve theksohej se 12 ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit.

Me urdhrin nr. 4, datë 6.1.1983 të ministrit të Punëve të Brendshme, reparti 315 Leras Lezhë u mbyll.