Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Kampi Valas, Elbasan

blank
Emri Kampi Valas, Elbasan
Vendndodhja: Valas, Elbasan
Viti i Ndërtimit: 1970
Viti i Mbylljes: 1983
Burimi i Informacionit: Kastriot Dervishi

Më 27.11.1970 reparti 315 zhvendoset në Valas, një fshat jo shumë larg Cërrikut. Qëllimi iu zhvendosjes këtu ishin punët bujqësore të fermave të atyshme. Është punuar për hapje tokash të reja dhe për punë të zakonshme në bujqësi. Në vitin 1971 në kamp ishin 373 të dënuar, prej të cilëve 25 të dënuar politikë dhe 348 ordinerë.

Pas largimit të repartit 315 nga Valasi për në Lezhë me urdhrin nr. 664, datë 21.7.1973, u krijua në Valas të Elbasanit, reparti nr. 307. Pjesa dërrmuese e të dënuarve ishin ordinerë dhe fare pak prej tyre, politikë. Të dënuarit filluan të grumbullohen më 8 shtator 1973 nga disa reparte njëkohësisht, si 301 Bulqizë, 305 Borsh, 309 Ballsh, 313 Tiranë dhe 315 Lezhë.

Numri i parë i të burgosurve ishte 487 të dënuar. Të dënuarit ishin planifikuar të punonin në bujqësi për llogari të ndërmarrjes bujqësore të Belshit.

Kapaciteti i repartit ishte për 450 të burgosur.

Në vitin 1977 punonin gjithsej 382 të burgosur. Sipas raportimit të datës 15.11.1978, në repart ishin gjithsej 318 të dënuar, prej të cilëve 2 politikë.

Në fund të janarit 1979 në të ishin 327 të burgosur ordinerë dhe 2 politikë. Në fund të vitit 1979 në repart ishin 522 të dënuar ordinerë dhe 2 politikë.

. Në vitet 1978-1981 ky repart kishte në varësi edhe repartin nr 318.

Me urdhrin nr. 4, datë 6.1.1983, reparti u shkri. Përfundimisht reparti u mbyll më 7.2.1983.