Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Kamp-burgu “Punëtoria Qendrore e Artizanatit”

blank
Emri Kamp-burgu Punëtoria Qendrore e Artizanatit
Vendndodhja: Tiranë
Viti i Ndërtimit: 1950
Viti i Mbylljes: 1966
Burimi i Informacionit: Kastriot Dervishi

U hap në Tiranë, në janar 1950, në rrugën “5 Maji”, si repart i specializuar për kryerjen e punimeve të ndryshme artizanale, por edhe për të shfrytëzuar punën intelektuale të të dënuarve. Deri në gusht 1950, burgu varej nga Dega e Prapavijës në MPB e më pas kaloi në varësi të Degës së Kampeve dhe Burgjeve. Punëtoria u vendos në ish-fabrikën e cigareve “Flora” të Ibrahim Biçakçiut. Në vitin 1950 trupa e të burgosurve ndahej në punë në 5 sektorë: rrobaqepës, këpucarë, marangozë, mekanikë dhe përkthyes.

Të dhënat e para që tregojnë ndarjen e të dënuarve janë ato të vitit 1954, kohë në të cilën raportohet për 150 gra të burgosura. Në këtë kohë reparti kishte si efektiv shërbimi, 70 persona. Pas vitit 1955 të burgosurit politikë pakësohen dhe rriten ato ordinerë. Kjo vinte prej faktit se të burgosurit politikë kërkoheshin në kampet e tjera të punës. Në tremujorin e parë të vitit 1956 të dënuarit punonin në zdrukthëtari, rrobaqepësi, këpucari, mekanikë, kovaçhanë, mesagjeri (përkthime, shtyp, etj), karton. Po në vitin 1956 raportohet se në varësi të repartit ishin edhe të burgosurit që punonin në uzinën “Dinamo”. Në këtë uzinë punohej për rregullim makinerish, prodhim mallrash të konsumit të gjerë dhe prodhim global. Në këtë repart vuanin dënimin edhe disa jugosllavë të dënuar në Shqipëri.

Në fillim të nëntorit 1958 raportohej se në repart punonin 27 të dënuar politikë (prej të cilëve 24 gra) dhe 379 ordinerë (prej të cilëve 139 gra), që përbënin gjithsej 406 të dënuar”.

Një pjesë e këtij kampi, luante dhe funksionin e burgut të grave. Musine Kokalari është një nga të dënuarat e cila doli nga ky burg më 8.10.1961. Ajo do të zhvendosej në një lloj tjetër vuajtje dënimi, në internim. Kishte vuajtur plot 15 vjet burg. Nga praktika e dosjes së saj, mësohet se të paktën prej vitit 1957, gratë e artizanalit punonin në fermën bujqësore “Ylli i Kuq” i Valiasit. Nga kjo e dhënë provohej se ferma e Valiasit ka shërbyer si vend ku vuanin dënimin gratë e dënuara në vitet 1956 – 1961.

Shifrat e të burgosurve në vite sipas studiuesit Kastriot Dervishi, janë:

Viti 1950, 155 të burgosur

Viti 1953, 827 të burgosur

Viti 1954, 510 të burgosur (253 politikë, 257 ordinerë)

Viti 1955, 433 të burgosur (215 politikë, 218 ordinerë)

Viti 1957, 528 të burgosur (140 politikë, 388 ordinerë)

Viti 1958, 528 të burgosur (48 politikë, 280 ordinerë)

Viti 1959, 742 të burgosur

Viti 1960, 406 të burgosur

Viti 1961, 400 të burgosur

Viti 1963, 295 të burgosur (11 politikë dhe 284 ordinerë)

Viti 1965, 380 të burgosur

Viti 1966, 410 të burgosur