Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Burgu i madh Shkodër

blank
Emri Burgu nr.4 Shkodër
Vendndodhja: Shkodër
Viti i Ndërtimit: 1944
Viti i Mbylljes: 1966

Fillimisht Burgu nr.4 dhe më  vonë Reparti 315. Nga pikëpamja organizative burgu i këtij qyteti kishte vetëm një numër, por praktikisht në qytet ishin disa godina që shërbenin si burgje të cilat dalloheshin me emërtesat që iu vunë në popull, si Burgu i Madh(Burgu i përgjithshëm), apo Burgu i Ri(Burgu i rrethit).

Përqendrimi i lartë i kundërshtarëve të komunizmit në Shkodër, solli edhe një përqendrim të lartë burgjesh, si në asnjë vend tjetër të Shqipërisë. Veç Burgut të Madh që ekzistonte që prej monarkisë dhe të ashtuquajturit Burgu i Gestapos të krijuar nga gjermanët, të cilët u tejmbushën me të arrestuar sapo komunistët morën në zotërim Shkodrën, në janar të vitit 1945 u hap edhe Burgu i Ri në shtëpinë e familjes Çeka.

Burgu i madh (në dokumente gjendet me fjalët “i përgjithshëm”), në të cilin shërbente një personel prej 60 vetash (53 ushtarë, 6 nënoficerë, 1 oficer), kishte një kapacitet rreth 170 të burgosur, dhe pa të hynin e të dilnin në tre muajt e parë të pushtetit komunist mbi 600 të arrestuar. Ishte ndërtesë dykatëshe në trajtë drejtkëndëshi me një oborr të vogël. Burgu kishte 10 dhoma. Në datën 6 shkurt 1945, në burg ndodheshin 280 persona, ndërsa në të gjithë Shkodrën, gjatë vitit 1945, u burgosën mbi 3 mijë vetë. Deri më 6 shkurt 1945 në këtë burg kishin qëndruar 403 të burgosur. 15 prej të burgosurave ishin gra. Një listë e dytë e cila përfshin datën 10 mars 1945 na bën të ditur se deri këtë kohë në burg ndodhen 618 të burgosur.