Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Spitali i përgjithshëm i burgut

blank
Emri Spitali i përgjithshëm i burgut
Vendndodhja: Tiranë
Viti i Ndërtimit: 1951
Viti i Mbylljes: 1990

Ky burg ndodhet në bllokun e spitaleve në Tiranë dhe ka funksionuar gjatë viteve 1951-1990. Në këtë spital burg sillnin të burgosur për t’u kuruar, sidomos ata që punonin në kampe me punë të detyruar. Në këtë spital burg gjatë viteve të diktaturës komuniste janë shtruar disa mijëra të burgosur dhe të internuar. Shumë prej tyre aty kanë gjetur vdekjen. Midis tyre po përmendim gjeneralin Halim Xhelo që është gjetur i varur në këtë spital burg.

Për të rregulluar funksionimin e këtij spitali për të dënuarit, doli udhëzimi nr.01-11, datë 26.5.1961, i ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu.

Sipas këtij akti, spitali i të dënuarve kishte karakter kombëtar, aty kuroheshin të gjithë të sëmurët nga repartet e kampeve dhe burgjeve dhe të paraburgosurit e degëve të Punëve të Brendshme të rretheve. Ai quhej Reparti nr.7.

Spitali varej administrativisht e teknikisht nga drejtori i Spitalit nr.2, ndërsa për administrimin e dokumenteve dhe sigurimin e tij nga Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, e cila e ushtronte nëpërmjet Repartit nr.313. Spitali ruhej nga një komandë e posaçme, e cila përgjigjej për sigurimin e tij. Pavarësisht se ana e jashtme ka qenë humane, në thelb spitali ishte një lloj burgu me pasoja për shumë të dënuar.

Spitali kishte një shef reparti. Personeli civil, mjekët, kryeinfermierët, infermierët, pastruesit vareshin nga organika e spitalit, por për këtë duhet të jepte pëlqimin nga zëvendësministri i parë i Punëve të Brendshme që mbulonte Policinë, ndërsa shefi i repartit dhe personeli ushtarak ishin në organikë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Shtroheshin në spital:

-Të dënuarit ose të paraburgosurit me sëmundje kirurgjikale, patologjike, infektive dhe neuropsikiatrike.

-Në aneksin e spitalit antituberkular vetëm të sëmurët TBC (tuberkuloz).

-Të burgosurit e paraburgosurit vetëm në rastet kur nuk shëroheshin në infermieritë e burgjeve e kampeve (ose degës).

Për të gjithë kërkohej raport mjekësor. Shtrimi bëhej vetëm me urdhër të drejtorit të Drejtorisë së Policisë Popullore, me propozim të Degës së Kampeve dhe Burgjeve.

Megjithatë, spitali ishte vendi ku të dënuarit dërgoheshin në shkallën e fundit të sëmundjes së tyre. Këtë e shpjegon fakti se numri i vdekjeve ka qenë i lartë. Ai ishte një vend vuajtje e kjo dëshmohet edhe në letrat që të dënuarit i dërgonin organeve më të larta (si rasti i Bardhyl Belishovës, i cili kërkonte më mirë të shkonte në Burgun Burrelit se sa spitalin e burgut) apo në kujtimet e botuara të të dënuarve që kanë qenë të shtruar në atë spital si Tomorr Aliko. Ky i fundit flet jo vetëm për kushtet e këqija, egërsinë e personelit të Degës së Brendshme që shpesh u mohonin ndihmën të sëmurve, por edhe për eksperimente mjekësore që kryheshin me të burgosurit e shtruar.

Të dënuarit që vdisnin dërgoheshin në varrezën e Tufinës. Për ata që vdisnin përpilohej një procesverbal, si ky bashkëlidhur.blank

Në të nënshkruante mjeku, përfaqësuesi i Hetuesisë dhe komandanti i Repartit nr.313 Tiranë. Procesverbali përmbante orën dhe datën e vdekjes si dhe sëmundjen që shkaktonte vdekjen. U dërgohej një ekzemplar dokumenti edhe zyrave të gjendjes civile për çregjistrim.

Spitali vazhdon të funksionojë edhe sot në të njëjtin vend që ka qenë gjatë diktaturës.

 

Emrat e disa të dënuarve që ndërruan jetë në spitalin e burgut të Tiranës:

Vasil Papai

Shasivar Islami

Dede Kamberi

Muhedin Skënderi

Mirash Ivanaj

Musa Gjylbegu

Elez Paja

Isuf Kurti