Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Kamp-burgu i Spaçit

blank
Emri Kamp-burgu i Spaçit
Vendndodhja: Spaç, Mirditë
Viti i Ndërtimit: 1968
Viti i Mbylljes: 1990
Burimi i Informacionit: Kastriot Dervishi

Ky Kamp-burg  u hap në Spaç të Mirditës në vitin 1968. Të dënuarit  janë vendosur në 7 baraka të mëdha llamarine e dërrase. Në një barakë rrinin gati 100 të dënuar. Komanda ishte vendosur jashtë rrethimit të kampit.

Sapo të burgosurit erdhën, filloi një protestë, pasi nuk donin të punonin në minierë.

Në Spaç nxirrej pirit dhe bakër. Miniera ishte tejet primitive, e pajisur vetëm me ndonjë armaturë druri.

Sipas skemës së sigurimit të repartit, Spaçi ishte një kamp i rrethuar në një terren të vështirë. Ishin 30 vend-roje me ushtarë. Shërbenin për sigurimin e repartit 4 toga ushtarake.

I dënuari në Spaç kishte sende personale: 2 palë rroba, 1 pagure alumini ose plastmasi, 1 furçë dhëmbësh, 1 fletore, 1 tas, 1 lugë gjelle alumini, 1 dyshek, 1 batanije, 1 çarçaf.

Sipas rregullores së brendshme të kampit, të dënuarit duhej t’i bindeshin për gjithçka komandës, duhej të realizonin normën e punës etj. Lejoheshin të merrnin nga familjet 15 kg sende (këtu nuk hynin frutat, perimet), të takonin familjarët 2 herë në muaj nga 15 minuta, të dërgonin 2 letra në muaj te familjarët (gjithmonë brenda vendit), të abonoheshin në organet e shtypit etj.. Telegramet dhe kartolinat lejoheshin pa kufizim. Po ashtu i dënuari mund t’i shkruante letra KQ të PPSH-së, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Këshillit të Ministrave, Gjykatës së Lartë, MPB-së, organeve vendore etj.

Më 17 qershor 1968, të dënuarit u orvatën të ndërtonin një tunel për t’u arratisur, por nuk mundën dot. Gjatë vitit 1969, ishin orvatur për t’u arratisur 15 persona, prej të cilëve 6 ishin kapur ose asgjësuar dhe 9 të tjerë ishin kapur në 1-8 ditë.  Arratisjet vinin gjatë ndërrimit të turneve apo nga galeritë e minierës.

Barakat gradualisht i zëvendësuan me pallatet e banimit. Rreth vitit 1971 u ndërtua një prej pallateve për strehimin e të burgosurve. Në vitin 1973 nisi puna për ndërtimin e pallatit të dytë, ngjitas me të parin.

Reparti e organizonte punën sipas një plani ditor. Pikat më kryesore të këtij plani janë sipas orarit:

530 zgjimi

600 – 630 mëngjesi

700 – 1500 puna në minierë

1700 – 1710 apeli

1710 – 1930 leximi i shtypit dhe i materialeve të PPSH-së

2000 – 2030 dreka

2100 – 530 gjumi

Për vitin 1975 në repart punonin rreth 517 persona, ndërsa ishin mbyllur në birucë 152 të dënuar. Në vitin 1976 në repartin 303 punonin 633 të dënuar, prej të cilëve vetëm 67 ishin ordinerë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre në këtë kohë përbëhej nga 152 persona.

Arratisjet nga kampi mund të bëheshin vetëm në çaste pune, nëpërmjet galerive të shkurtra. Kështu, më 9.12.1977, të dënuarit Stavro Guxo dhe Manol Qirici realizuan një arratisje pa asnjë lëndim.

Në fund të janarit 1977 në kamp ishin 725 të dënuar politikë dhe 28 ordinerë. Në fund të dhjetorit 1977 kjo shumë ishte 877 të dënuar politikë dhe 48 ordinerë.

Në fund të janarit 1978 në repart ishin 877 të dënuar politikë dhe 48 ordinerë. Në fund të nëntorit 1978 në repart ishin 905 të dënuar politikë dhe 37 ordinerë.

Në një informacion të datës 14.10.1978 thuhej se të dënuarit Vasil Ziu, Frederik Shestani, Refik BeqoUshtar ÇoboIlir Agaraj, Nikolla Shyti dhe Gaspër Gaspri nuk kishin pranuar të dilnin në punë duke thënë se ishin të sëmurë. Për këtë veprim ata ishin dënuar duke u futur në birucë.

Kishte dalje jashtë rrethimit të kampit pothuaj në të gjitha galeritë. Por që të dilje atje, duhej t’i njihje këto. Galeritë e dyshuara për arratisje u bllokuan. Megjithatë maksimalisht ato nuk mund të mbylleshin. Sipas një informacioni të datës 24.8.1978 kampi i Spaçit kishte 3 postblloqe. Kjo shpjegohej me kushtet e sigurimit maksimal të të dënuarve.

Më 11.6.1979 ishte vrarë i dënuari Refik Beqo. Vrasja e tij ishte bërë duke u qëlluar nga 5 vend-roje. Komanda pasi nxirrte anët e mira të goditjes pa mëshirë të “elementit armik”, kritikonte harxhimin e kotë të municionit nga 5 drejtime.

Në fund të janarit 1979 në kamp ishin 920 të dënuar politikë dhe 31 ordinerë. Nën tokë punonin 530 të dënuar. Në fund të shtatorit 1979 në kamp ishin 919 të dënuar politikë dhe 25 ordinerë.

Në Spaç, kushtet e jetesës ishin ekstremisht të vështira  sepse edhe pse nuk ishin të ushqyer mirë të dënuarit duhej të bënin një punë shumë të rëndë në minierë pa llogaritur këtu dhe dhunën e përditshme që ndërmerrej ndaj tyre, si dhe me izolimet e shumta, është vërtet të dhimbshme.

Në një raport të datës 27 gusht 1979, pranohej nga komanda e burgut se ishin ankuar për toksikime 150 të burgosur. Dhembje barku e të vjella shoqëronin jetën e përditshme të të burgosurve.  Më 2.10.1979 komanda e kampit nxirrte se kishin nevojë për shtrim në spital 32 të dënuar. Gjatë vitit 1979, 5 të dënuar kishin refuzuar ushqimin. Ndërsa i dënuari Filip Rexha ishte orvatur të vriste veten duke u hedhur.

Puna në minierë konsiderohej e rrezikshme në raportet e drejtuesve të MPB-së dhe se punohej pa kasketa mbrojtëse në kokë. Vetëm në vitin 1980 ishin aksidentuar 365 të burgosur, prej të cilëve 1 kishte vdekur dhe 12 ishin plagosur rëndë.

Në fund të qershorit 1980 në repart ishin 980 të dënuar politikë dhe 20 ordinerë. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 1980 kishin kaluar në birucë 118 të dënuar.

Sipas informacionit që jepte mjeku i repartit, më 31.5.1980 në Spaç punonin nën tokë 531 të burgosur. Mbi tokë punonin 295 e të tjerët nuk punonin për shkaqe sëmundshmërie. Kishin nevojë për shtrim në spital 128 të burgosur. Vetë kampi kishte një infermieri të përbërë me 8 shtretër. Një WC shërbente për 60 të burgosur. Në një dush, nëse punonte, duhej të laheshin 60 të burgosur. Kur dilnin jashtë dhomës ku flinin, një i burgosur kishte 1 m2 vend për ajrosje.

Në vitin 1981, mesatarisht ishte krijuar një trupë të burgosurish prej 1.056 veta (e dhëna e muajit maj, 1.023 politikë dhe 33 ordinerë). Kapaciteti i godinave ishte 504 veta. Pra, ishin grumbulluar më shumë se dyfishi. Për muajt mars-prill 1981 raportoheshin në Spaç 18 të vdekur.

Sipas informacionit të datës 20.9.1981, efektivi i repartit përveç ushtarëve përbëhej nga 1 oficer, 7 nënoficerë, 29 policë. Ushtarët që vinin nga shërbimi i detyrueshëm, ruanin vetëm sistemin e jashtëm të repartit.

Më 16.10.1982 ushtarët vranë në përpjekje për t’u arratisur të dënuarin Hysen Merdani (i dënuar për arratisje) dhe tri ditë më vonë Rexhep Goçin (i dënuar për agjitacion). Komanda propozonte që ata të merrnin fletëlavdërimi nga MPB-ja.

Në raportin e komandës të datës 20.4.1982, të dënuarit Visar Zhiti, Muharrem Protoduari, Ibrahim ÇuniZyber SelimiRexhep Gojani, Mysli Çelhyseni, Marash Kumbulla, akuzoheshin se bënin “sabotim” në nxjerrjen e mineralit.

Faktet e tanishme flasin për atë që kjo kategori të dënuarish qëndrojnë në pozitat e veta klasore të kundërta me materialet e partisë dhe mësimet e shokut Enver, me interesat e shoqërisë socialiste e të familjes së tyre. Prandaj komanda u ka dhënë masa ndëshkimore, sepse kanë kryer shkelje e faje për moszbatimin e rregullave të brendshme, mbajtjen e sendeve të ndaluara…”, – pohohej në raport.

Një prej të burgosurve që u lirua në Spaç ishte Hafiz Sabri Koçi. Ai vuajti 20 vjet dhe në Spaç vuajti shumë vite. Në repartin e Spaçit ai punonte në sistemin e ujit të pijshëm duke bërë punën e hidraulikut.

Në vitin 1983 nga kampi i Spaçit silleshin 5 raportime për të burgosurit Xhevat Alibali, Dhimitër Nani, Sandër Sokoli (ekzekutuar një vit më pas për revoltën e Qafë-Barit), Murat Gjonzeneli dhe Petro Lekushi. Raporti i datës 2.3.1983 kishte në qendër komentet e tyre rreth librit “Titistët”. Për të dënuarit, Enver Hoxha konsiderohej si nxënës i Titos, ndërsa ato që kishte shkruar, të pabesueshme.

Në vitin 1985, harta e repartit 303, tregon se të dënuarit politikë dhe ordinerë janë të ndarë nga njëri-tjetri. Jashtë rrethimit ndodhen zyrat e minierës. Sapo hyn në kamp, në krah të majtë ishin të rrethuar veçan të dënuarit ordinerë në një kompleks prej 8 godinash. Duke ecur në rrugën kryesore të kampit kalohen 5 godina të artizanalit. Poshtë tyre vërehen 11 godina (2 prej të cilave të banimit) të të burgosurve politikë.

Në vitin 1985 në repartin e Spaçit ishin 470 të dënuar politikë dhe 850 ordinerë.

Në vitin 1990 ulet ndjeshëm numri i të burgosurve. Kanë ndikuar këtu zhvillimet e këtij viti. Të burgosurit refuzonin të punonin.

– Më 13.6.1990 janë larguar në drejtim të repartit 311 Qafë-Bari, 60 të dënuar.

– Më 14.6.1990 janë larguar në drejtim të repartit 313 Tiranë, 30 të dënuar.

– Më 19.6.1990 janë larguar në drejtim të repartit 305 Sarandë dhe 327 Gjirokastër, 70 të dënuar.

Spaçi funksionoi për të dënuarit politikë midis datave 20.4.1968 deri më 19.6.1990. Në kushtet e reja të krijuara në vend pas vitit 1990, me një urdhër të përbashkët të ministrave të Punëve të Brendshme, Industrisë dhe Energjetikës dhe të Bujqësisë , më 13.4.1991 reparti 303 i kaloi në dispozicion ndërmarrjes përkatëse të nxjerrjes së mineralit. Ai u përdor edhe pak vite si vend ku vuanin dënimin të burgosurit ordinerë, derisa u mbyll.

Të Burgosurit: