Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Kampi i Maliqit  

blank
Emri Kampi i Maliqit  
Vendndodhja: Maliq
Viti i Ndërtimit: 1947
Viti i Mbylljes: 1951
Burimi i Informacionit: Kastriot Dervishi,

Tharja e kënetës së Maliqit ishte një synim i hershëm i shtetit shqiptar për të përfituar tokë.  Në vitet 1945-1946 nisi puna  për të hapur kanalet kulluese. Në krye të punimeve ishin inxhinierët më të njohur që kishte vendi. Mosplotësimi në kohë i tharjes së kënetës u shfrytëzua si pretekst për të sjellë procesin e nëntorit 1946, me të cilin u pushkatuan me skena makabre teknikët më të mirë të asaj kohe në Shqipëri. Dy inxhinierët drejtues të punimeve: Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri u varën në litar.

Në pranverën e vitit 1949 rifilluan punimet për hapjen e kanalit që do kalonte ujin e kënetës.

Patër Zef Pllumi, përkthyesi i famshëm Pashko Gjeçi, nëpunësi i lartë Nedin Kokona, etj, punonin aty.

Pas një pushimi punimet rifilluan përsëri më 15 maj 1950 me 550 persona dhe në fund të qershorit edhe  me 350 të tjerë.

Më 28.4.1950 nga dokumentet arkivore tregohet se komandat i këtij kampi ishte Tasi Marko. Gjatë gjithë vitit 1950 Tasi Marko ka qenë komandant kampesh në Maliq dhe në Peqin.

Në raportin e datës 23.8.1950, për gjendjen në kampe e burgje thuhej se:

Policët e kampit të Maliqit kishin përdhunuar gra të të dënuarve, ndërsa kishin pasur kontakte me femra imorale”.

“Të burgosurit në këtë kamp janë organizuar në 12 brigada pune, secila e përbërë nga 120 — 140 burra. Secila përbëhet nga 3 kompani dhe secila prej tyre prej 3 skuadrash. Të burgosurit banojnë në baraka dhogash, me një brigadë në secilën barakë. Ato nuk janë të ndara në dhoma, gjatë mureve janë dy rreshta me nga dy krevate, njëri mbi tjetrin ku flenë të burgosurit.  Çdo të burgosuri i kanë dhënë vetëm një palë rroba pune të përbërë nga një pallto, pantallona dhe një këmishë Si rregull punonin 10 orë punë në ditë, nëse nuk shtohen me urdhër të komandantit të brigadës.  Pushimi jepet 3 herë në ditë. Racioni i bukës është 500 gram, një përzieje gruri dhe thekre, zakonisht e papjekur që u jepej në drekë.  Punimet në kampin e Maliqit mbaruan më 1951”.

Të dënuarit