Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Kampi i Bardhorit

blank
Emri Kampi i Bardhorit
Vendndodhja: Kavajë
Viti i Ndërtimit: 1988
Viti i Mbylljes: 1991

Reparti i riedukimit nr.314 i Bardhorit, Kavajë u krijua në bazë të VKM-së nr. 410, datë 27.10.1987 për përmirësimin e shfrytëzimit të masivit të dafinës, në një sipërfaqe prej 330 hektarësh në zonën e Bardhorit në Kavajë.  Detyra e repartit ishte shpyllëzim, mbjellje e grumbullim. Personeli përllogaritej në 95 (58 prej të cilëve ushtarë) veta dhe të burgosurit 500. Reparti u ndërtua me 300.000 lekë. Të burgosurit ishin në shumicë ordinerë, por në përbërje të repartit ishin përllogaritur deri në 10% të dënuar politikë.

Kapaciteti ishte për 500 të burgosur. Sipas të dhënave të vitit 1988, reparti kishte një vend të veçantë për 40 të dënuar politikë. Në gusht 1988 erdhën 400 të dënuar nga reparti 305 Përparim. Punohej për vjelje dafine duke aktivizuar 360 të dënuar në ditë. Deri më 31.10.1988 ishin paketuar 53.700 paketa dafina për eksport.

Në fillim të vitit 1990 raportohej një numër prej 340 të dënuarish. Në fund të vitit raportohej një shifër prej 395 të dënuarish politikë. Reparti vijoi edhe pas vitit 1991. Ai funksionoi si burg deri në mars 1997, kur u përfshi edhe nga trazirat e këtij viti.