Fillimisht këtu punohej në ndërtim pallatesh. Në dhjetor 1963 reparti 309 u vendos në Laç për të ndërtuar uzinën e superfosfatit të këtij qyteti. Në vitet 1964-1965 komanda e reparteve 309 dhe 323 ka qenë e përbashkët në Laç. Në vitin 1965 reparti kishte gati 700 të burgosur. Nuk jepen detaje, nëse ishin politikë apo ordinerë.
Në këtë kamp pati disa tentativa arratisjeje, por përveç një rasti kur arratisja u realizua, të dënuarit e tjerë, u vranë, u plagosën ose u ri-dënuan.
*Në muajin prill 1964 një i dënuar gjeti mundësinë e arratisjes në afërsi të postbllokut ku hynin e dilnin makinat, shfrytëzon rastin, merr një makinë e largohet nga fronti i punës. Mbasi kalon postbllokun, rrëzon makinën dhe ikën në drejtim të Tiranës, pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore duke u ankuar se dënimi i tij ishte i padrejtë.
*Në gusht 1964 një i dënuar tenton të arratiset duke kaluar zonën e ndaluar, por ushtari e qëllon dhe e vret pa i bërë paralajmërim.
*Më 24.8.1964 vritet brenda kampit pa arsye, pa paralajmërim, i dënuari Eqrem Zeko nga Gjirokastra.
*Më 5.11.1965 i dënuari Mark Cuf Marku, duke u fshehur te një makinë që kishte ardhur brenda kampit realizoi arratisjen. I spiunuar nga një qytetar, ai diktohet në urën e Bahçallëkut dhe më pas vritet nga policia. Kufoma e Markut sillet në kamp si mjet presioni ndaj të dënuarve të tjerë.
*Më 2.7.1965 i dënuari Qerim Izet Çaushi, duke mos duruar dot kushtet e këqija të burgut, izolimin, punën e rëndë, bën vetëvrasje duke u hedhur nga lartësia e tarracës. Hidhet me kokë poshtë e vdes në vend.
*Më 3 janar 1966 i dënuari Kiço Budo, futet në zonën e ndaluar dhe kalon drejt telit, ku nga ana e rojës paralajmërohet, qëllohet dhe plagoset.
*Më 3.12.1966 të dënuarit Sazan Hadëri, Naun Kondakçiu dhe Murat Marta rrëmbyen një makinë dhe u arratisën. Jashtë rrethimit u arrit të vritej Naun Kondakçiu e të kapen dy të tjerët.
Të Internuarit
- Eqrem Zeko
- Mark Cuf Marku
- Qerim Izet Çaushi
- Kiço Budo
- Sazan Hadëri
- Naun Kondakçiu
- Murat Marta