Burgu i Bënçës ishte ndërtuar në vitin 1960 me kapacitet rreth 70 persona. Ishte burg “rezervë” për situata lufte. Ka shërbyer si burg në disa faza.
Reparti nr.307 Bënçë 1970-1973
Ka shërbyer në vitet 1970 – 1973, kur njihej me numrin 307. Në një periudhë kur nuk hapeshin më burgje, por vetëm reparte pune, burgu i Tepelenës përbën përjashtim. Ai u hap për tre vite në Bënçë të Tepelenës, enkas për të izoluar elementët antiparti si një vend i sigurisë së lartë. Disa nga të burgosurit në këtë burg kanë qenë komunistët e përjashtuar nga Partia e Punës si Bedri Spahiu, Koço Tashko, Maqo Çomo. Disa të burgosur të tjerë ishin Gjin Marku, Fehmi Frashëri, Robert Vullkani, Pandeli Varesi, Vangjel Lezho, Halim Xhelo Koçiraj, Bardhyl Belishova, Ahmet Thaçi, Dilaver Radeshi, Xhavit Qesja, Kadri Hoxha, Hamdi Hasko, Galip Sojli etj. Më 16.02.1973 reparti u mbyll dhe organika kaloi në llogari të Degës së Punëve të Brendshme Tepelenë.
Reparti nr. 328 Bënçë 1989-1991
Burgu u rihap në tetor të vitit 1989. Të dhënat e marra nga Dega e Punëve të Brendshme Tepelenë bëjnë fjalë se burgu kishte një kapacitet prej 24 fjetoresh. Burgu u hap me 13 të dënuar që si duket ishin në Tepelenë, të cilëve iu shtuan edhe 76 të tjerë të ardhur nga burgjet e vendit. Në këtë mënyrë burgu në fillim kishte 89 të burgosur ordinerë. Gati të gjithë të burgosurit punonin. Shënimi statistikor i burgut nuk jep detaje për punët që ata mund të bënin. Të burgosurit në fakt kanë punuar për ndërtimin e pallateve në qytetin e Memaliajt. Të dhënat e fundit zyrtare nga burgu i Tepelenës janë ato të vitit 1990. Në janar 1990 kapaciteti i burgut ishte për 90 persona. Në burg ishin 84 të dënuar. Të gjithë të dënuarit punojnë. Në statistikën e burgut nuk specifikohet se çfarë pune bëjnë, por besohet se kanë punuar në ndërtim dhe punë të tilla si çarje drush afër burgut. Shifra maksimale arrihet në korrik – gusht 1990 me 93 të dënuar. Në tetor janë 72 të dënuar dhe në nëntor shifra zbret në 63 të burgosur. Në gjysmën e dytë të vitit 1990 është përgjysmuar numri i të dënuarve që punojnë.