Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Reparti i Thumanës

blank
Emri Reparti i Thumanës
Vendndodhja: Krujë
Viti i Ndërtimit: 1958
Viti i Mbylljes: 1961
Burimi i Informacionit: Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste, Kastriot Dervishi, botim i ISKK; Zërat e Kujtesës, Vëll.1, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, botim i ISKK

Në korrik 1958, u ngrit kampi në Mamurras (Bushnesh) të Krujës, afër repartit nr. 305. Këtu do të kryente punime për tharjen e kënetës së Thumanës. Sipas organizatorëve të kampit, terreni paraqitej i vështirë, pasi afër kënetës ishin pyjet. Kjo gjë mund t’u jepte shkak të burgosurve për arratisje.

Me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, në gusht 1958 kampi u zhvendos në Gjorm të rrethit të Krujës në vazhdim të tharjes së kënetës.

Në vjeshtë 1958 reparti është në Thumanë. Të dënuarit ordinerë i kishin nisur në Tiranë.

Në vitin 1958, në kamp punonin 540 të dënuar politikë dhe asnjë ordiner.

Sipas të dhënave të vitit 1959 në kamp punonin 742 të dënuar.

Kurse në vitin 1960 të dhënat e pakta flasin për 624 të burgosur, të gjithë politikë, ndër të cilët 5 të huaj.

I dënuari Mark Alija, ka treguar :

“Në vitin 1958, kampi i Tërbufit u shpërngul në Thumanë. Në kamp, ishin rreth 700 vetë të dënuar politikë. U ndërtua kanali që nga derdhja e Ishmit e deri në Shullaz, komplet prej të burgosurve politikë. Gjithçka vetëm me karroca dore, bela dhe lopata.

Shiu nuk na ndahej, saqë i thoshim njëri-tjetrit me shaka: “Edhe Zoti është bërë me ‘këta’!” E kemi marrë dheun me krahë prej një kodre, e kemi transportuar me karroca dore dhe nxjerrë në argjinaturë.

Kapanonet ndodheshin në Thumanë. Nga kapanoni, deri në vendin e punës, duhej të bënim 5 kilometra vajtje dhe 5 kilometra të tjera kthim. Dilnim nga ora 6:00 nga kapanoni, bënim një orë e gjysmë rrugë dhe pastaj fillonim punën. Mbaronim në orën 3 pasdite dhe bënim një orë e gjysmë tjetër, për t’u kthyer në kamp. Zakonisht, në shi e llucë.

Kushtet e higjienës ishin të atilla, sa çudi si nuk ra kolera. Asnjë lloj kushti nuk kishte. Nuk kishte ujë për të larë rrobat. Edhe në kanal, kur kishte ujë, po të na zinin duke larë rroba, na fusnin në birucë për tri ditë, si thyerje e rregullit. Llogarit që as ujin e kanalit nuk mund ta përdornim. Banjo nuk kishim. Nuk mund të bënim as dush e asgjë. Për tualet (WC) përdorej terreni. Përfytyro 700 vetë pa banjo….”