Quhej Reparti nr.318 Qyteti Stalin. Në vitin 1966, për herë të parë regjimi komunist çeli një repart të posaçëm pune të detyruar për gratë, të cilin e vendosi në Qytetin Stalin (sot Kuçovë). Më 28.1.1966 mbërritën nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit në Tiranë shumica e grave të dënuara (80 gra), si dhe 1 komandant, 6 roje të brendshme e 3 roje të jashtme. Gjysma e mbetur mbërriti në repart më 1 tetor 1966. Pra kampi ishte menduar si një përqendrim i specializuar për gratë që do të vuanin dënimin në repart.
Qëllimi i repartit ishte shfrytëzimi i punës së grave në bujqësi në një sipërfaqe prej 150 hektarësh si dhe në industrinë e naftës. Toka bujqësore e ndodhur në periferi të puseve të naftës nuk mund të punohej me mjete të mekanizuara dhe as me qe. Në repart vuanin dënimin gratë e dënuara si për krime kundër shtetit, ashtu edhe ato për krime ordinere. Regjimi nuk kishte mundur t’i ndante veç ato për krime kundër shtetit (politike) dhe ato për vepra të ndryshme ordinere. Numri i grave të dënuara për krime politike përllogaritej në vite midis shifrave 10-20%. Në vitin 1969 këtu punonin 177 gra në shumicë ordinere.
Në vitin 1975 ishin 427 gra; në vitin 1976 ishin 478 gra; në vitin 1977 ishin 479, në vitin 1978 ishin 440 gra dhe në vitin 1979 ishin 443 gra. Karakteristikë e kësaj kohe është se burgu i Kuçovës kishte gra të huaja të dënuara. Në vitin 1975, reparti kishte në përbërje 11 oficerë, prej të cilëve vetëm 1 ishte me arsim të lartë. Në vitin 1976 në repartin 318 (Qyteti Stalin) punonin 437 të dënuar, prej të cilëve vetëm 40 politikë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre përbëhej nga 19 persona. Për vitin 1976, kur reparti ishte ende në Qytetin Stalin, thuhej se vuanin dënimin 483 gra.
Burgu i grave Kuçovë
Emri | Burgu i grave Kuçovë |
Vendndodhja: | Kuçovë |
Viti i Ndërtimit: | 1966 |
Viti i Mbylljes: | 1976 |