Burgu i rrethit (ose Burgu i ri) në të cilin shërbente një personel prej 30 vetash (26 ushtarë, 4 nënoficerë), ishte një godinë karakteristike shkodrane, e dyta për nga madhësia pas “Burgut të madh”.
Pas portës së hyrjes, vinte një korridor me gjerësi 3 metra, brenda të cilit ishte sajuar dhoma e policit të shërbimit. Drejtoria e burgut dhe të burgosurit ordinerë ndodheshin në katin e dytë të godinës. Të burgosurit politikë ishin “sistemuar” në 3 dhomat poshtë. Një dhomë tjetër ishte edhe ajo e grave që komunikonte me jashtë. Aty kanë qenë Terezina Pali, Drita Kosturi etj..Po ashtu, edhe priftërinjtë i kishin lënë së bashku. Disa prej të burgosurve që ndodheshin në këtë burg ishin Guljem Deda, Kolë Vjerdha, Myfit Bushati, Ndoc Çoba (arrestuar më 27.1.1945), Valentin Pervizi, etj.
Deri më 27.2.1945 vlerësohej se në këtë burg ndodheshin 230 të (para) burgosur, midis të cilëve 8 femra.
Një përshkrim deri diku të hollësishëm, burgut të ri të Shkodrës, i bën Ahmet Bushati, i cili u çua aty në vitin 1948.
“Burgu i Ri”, që, për nga madhësia, vinte i dyti mbas Burgut të Madh ishte një godinë dykatëshe. Shumë shpejt do të mësojshim se ajo ndërtesë në të kaluemen kishte qenë shtëpi e familjes Çeka e disa të tjerë…do ta quejshin edhe “Burgu i Sumës”.
Mbas portës së hymjes, vinte një korridor me gjanësi rreth 3 metra, mbrenda të cilit ishte sajue një si dhomëz për policin e shërbimit, tue shfrytëzue për atë gja dy faqet ekzistuese të vetë korridorit, kurse dy faqet e tjera do të përbaheshin prej dy parete hekurash, që shkojshin nalt deri në tavan. Mbrenda kësaj dhomëze atë natë të parë na zgjidhën duersh, për të na kalue si të shpjeguem në pjesën e mbetun të korridorit, që ishte me dy dyer anash e një të tretë në ballë, sipër të cilave përkatësisht shënoheshin numrat 1 djathtas, 2 majtas e 3 ajo para. Ndërsa dy dhomat anash, pra, 1 e 2 ishin të ngritura nja kambë shkallë e të shtrueme me dërrasa, sobat e njohura të Shkodrës, ajo me numër 3 qëndronte në kuotën e ulët të korridorit dhe ishte e shtrueme me çimento, ndoshta një ahër i dikurshëm që u zgjaste sa e gjithë ndërtesa, pra sa gjatësia e dy dhomave me numër 1 dhe 2, plus gjanësinë e korridorit.
Ruzhdi Çobën, Thabit Rusin, Qazim Dervishin, Lec Barbullushin, Ruzhdi Bajën e Refik Bushatin, I futën në dhomën nr.1, në atë me nr.2 futën Ernest Përdodën e Xhelë Bacin, kurse në 3-shin Remzi e Xhevat Qukun, Tomë Sheldinë e mue.
Veç burgjeve, rreth 10 shtëpi dhe kuvende katolike, në vitet 1944-1950, u kthyen në vende hetuesie, paraburgimi, torturash dhe internimi. Ato ishin:
Shtëpia e Sandër Saraçit
Shtëpia e Shkrelve
Shtëpia e Ulqinakut
Kuvendi Françeskan
Kuvendi Malet Tona
Burgu i Gestapos
Në dhomat dhe oborret e këtyre shtëpive, humbën jetën nga torturat avokati Myzafer Pipa, kleriku Frano Gjini, profesori Qemal Draçini dhe jo vetëm.
- Asim Goga (-)
- At Gaspër Suma (-)
- Dom Dedë Plani (-)
- Dom Nikollë Luli (1947-1948)
- Filip Mazreku (-)
- Ndue Pëndocaj (-)
- Sante Gemelli (-)
- Shpend Sherifi (-)
- Zef Staku (-)