Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Birucat e Degës së Brendshme, Shkodër

blank
Emri Birucat e Degës së Brendshme, Shkodër
Vendndodhja: Shkodër
Viti i Ndërtimit: 1946
Viti i Mbylljes: 1992
Burimi i Informacionit: “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”; nga vend vuajtjeje dhe torturash, në muze për të përkujtuar viktimat e regjimit komunist, financuar nga KAS, botues: Pjerin Mirdita

Në vitin 1946, godina e konviktit françeskan u sekuestrua dhe u kthye në godinën e Degës së Brendshme. Mjediset e magazinave, në pjesën fundore të ndërtesës u përshtatën në qeli paraburgimi dhe dhoma hetuesie. Ato ndaheshin nga dy korridore, secili prej të cilëve kishte 7 çifte qelish të vendosura përballë, gjithsej 28 qeli: 14 nga ana e oborrit, që merrnin dritë dhe 14 nga ana tjetër, në errësirë që merrnin dritë vetëm përmes korridorit ku kishte dy dritare të vogla.

Në qelitë përdhese qëndronin vetëm të dënuarit politikë, në proces hetimi. Pasi merrenin vendimin e gjyqit, shpërndaheshin në burgje e kampe të tjera. Të dënuarit me vdekje, mbaheshin në një qeli të posaçme deri ditën e ekzekutimit.

Gjatë viteve të diktaturës, aty janë burgosur e torturuar figura të njohura intelektuale të qytetit verior e më gjerë, mes tyre klerikët Zef Pëllumbi, Ernest Çoba,  Benardin Palaj etj.

Në vitet ’80, u shtuan disa qeli në katin e dytë, por aty mbaheshin vetëm të dënuarit ordinerë, që konsideroheshin të privilegjuar në krahasim me ata politikë.

Godina e Degës së Brendshme e ruajti funksionin deri në rrëzimin zyrtar të regjimit komunist, në vitin 1992, kur u kthye në Komisariatin e Policisë.

Sot, kjo godinë, është një muze që kujton krimet e komunizmit, i quajtur Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës.