Kampi i fermës “29 Nëntori” në Plug të Lushnjës, u formua në vitin 1950, si një kamp i rrethuar.
Në verën e vitit 1951 këtu u dërguan emigrantët grekë, që përdoreshin për punë të detyruar në bujqësi. Plugu ishte përzgjedhur si një vend i përshtatshëm përqendrimi, ku kontrolli bëhej edhe më lehtë. Këtu filluan të vijnë edhe të dënuar të tjerë nga burgjet, duke e bërë pak nga pak kampin të ishte me shumicë nga burgjet e Shqipërisë, ndërsa grekët ngelën një shtojcë e vogël e veçuar.
Në vitin 1953, aty u transferuan të internuar nga kampet me tela me gjemba, të cilat u mbyllën ligjërisht, por të internuarit vazhduan të qëndrojnë të rrethuar duke qenë që në këtë kamp, punonin edhe të burgosur. Deri në vitin 1955 funksionoi si kamp internimi.
*Gjatë qëndrimit në Plug kishin vdekur pa asnjë nishan, 2 “monarko-fashistë” grekë. Këta qëndronin në sektorin e parë të fermës “29 Nëntori”. Në një njoftim të DPB Lushnjë, të datës 20.1.1956, thuhej se toka ishte punuar e nuk dinin asgjë me siguri për eshtrat e tyre apo për vendndodhjen e mundshme.
Duke u bërë bashkimi i të burgosurve shqiptarë me ata grekë, u krijua një grup punëtorësh të dënuar prej 500 vetash. Këtu të burgosurit bënin punë të tilla si mbjellje dhe hapje kanalesh kulluese etj. Në fushën e Plugut, kampi qëndroi deri në nëntor 1953.
*Komisar ishte toger Besnik Çomo. Punëtori operativ i kampit i quajturi Mantho, sipas raportit të datës 7.6.1952, torturonte, plaçkiste dhe vidhte “monarko-fashistët”, ndërsa në një rast tjetër kishte tentuar të përdhunonte një grua.
Më pas, nga kamp internimi u quajt vend internimi dhe vazhdoi të ishte i tillë deri në rënien e regjimit komunist. Të internuarit nuk ishin të rrethuar, por paraqiteshin në apel dhe duhej të merrnin lejë për të dalë nga lokaliteti.