Ky është kampi i parë i punës së detyruar në Shqipërinë komuniste. U ngrit në fshatin Jubë të Durrësit dhe kishte si qëllim hapjen e kanaleve kulluese për të përftuar tokë bujqësore.
Në Jubë punuan rreth 700-800 të burgosur nga burgjet e afërta si nga Tirana, Durrësi etj. Të burgosurit politikë hapnin kanale kulluese afër detit. Synimi ishte kalimi i ujit në det e përfitimi i tokës së bukës. Mes të dënuarve ishin ish-qeveritarët Ibrahim Biçakçiu, Koço Kotta, Et’hem Cara, të cilët veçse keqtrajtoheshin në vendin e punës, duhet të hynin në kamp duke kaluar përmes një cilindri telash me gjemba, këmbadoras. Ata hapën një kanal 5 km të gjatë, me gjerësi 6 metra e thellësi 10 metra. U punua për rreth 4 muaj. Të dhënat për kampin në fjalë janë të pakta. Sipas të dhënave të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, në kamp shërbente një personel prej 42 vetash (36 ushtarë, 5 nënoficerë, 1 oficer).
Ish i dënuari Beqir Ajazi, i burgosur në Tiranë, e përshkruan kështu punën në këtë kamp:
“Një ditë prilli të vitit 1946, kur sapo kishim hyrë nga pajdosi dhe të burgosurit kishin rënë në një farë qetësie, kush duke studiuar, kush duke luajtur shah, apo domino, filloi një zhurmë e pazakontë të dëgjohej aty ndër mjediset e burgut… Më në fund, llozi u hap me një tërsëllemë të madhe dhe një oficer i ri u duk me një letër në dorë…
“Vini re!-Thirri ai. Të gjithë ata që do të dëgjojnë emrin, të lidhin teshat, t’i bëjnë deng dhe me to në kurriz, shpejt e në oborr, një minutë e më parë”.
Na çuan në kampin e Jubë dhe na sistemuan nga 6 veta në një çadër. Kush kishte dyshek, e kishte problemin të zgjidhur se shtrihej mbi të, ai që nuk kishte, shtrihej mbi tokën lakuriqe, po ama në vendin që i kishin caktuar. Ai kishte një fitim se nuk e lagte shiu. Meqë ashtu si neve këta sollën dhe nga Elbasani, Vlora e Berati, përfundimisht u bëmë aty rreth 800 veta.
Që të nesërmen na nxorën në punë. Detyra jonë ishte të gërmonim kanalin e Jubës, për të shpëtuar fushën nga përmbytja. Komandanti i kampit ishte Vangjel Mihali, që deri dje kishte qenë kamarjer në Korçë. Ai ishte shumë nevrik e i egër me ne, duke na goditur pa mëshirë. Gjatë ditës së parë, sistemi i punës së detyruar nuk m’u duk dhe aq i tmerrshëm, nga sa e kisha nxjerrë nga leximet. Punuam normalisht dhe askush nuk na trazonte dhe as na nxiste. Të nesërmen dolëm në punë me më kurajë, se na dukej që ia kishim marrë dorën. Por, kur u kthyem nga puna e ditës së dytë, situata kishte ndryshuar fare… Përpara portës së madhe të kampit, mbërthyer e ngërthyer me tela me gjemba, kishin sjellë një lloj tjetër teli me gjemba. Këtë e kishin vendosur në formë rrethi përpara portës dhe përmasat e këtij, arrinin sa ato të një lëmi të madh. Ndërsa njerëzit, të lodhur, prisnin që të hynin në kamp dhe të shtriheshin secili në vend të vet, një listë emërore na u lexua. Ata nuk do të futeshin në kamp, të tjerët, po …
Të tërë ata të listës ishin personalitete të spikatura të regjimeve të kaluara, si prefekte, ministra, gjeneralë e kështu me radhë… Këta i detyruan të futeshin këmbadoras në tub të telit dhe të ecnin gjunjas nëpër të. Mjerë ai që ndalej, sepse, që nga kuadratet boshe, dajaku i policëve bënte kërdinë mbi mish njeriu, Të burgosurit e mjerë duhej të ecnin duke gjetur boshllëqe për të vënë gjunjët dhe duart, që të avanconin. Gati për çdo hap, gjuri i shkretë ose pantalloni i gjerë ngecte në grep të telit. Sa përqendroheshe në çlirimin e gjurit nga kjo ngecje, grepi që ishte nga sipër, të ngulej në këmishë ose dhe në kurriz. Dhe këtë ushtrim gjimnastikor komandanti i kampit, Vangjel Mihali, e vazhdonte deri në mesnatë. Kur ktheheshin për t’u shtrirë e për të fjetur, trupi i tyre kullonte gjak, këmisha dhe pantallonat ishin zgripur…
Pas shumë vuajtjeve dhe torturave nga fundi i tetori u kthyem sërisht në burgjet nga kishim ardhur.”