Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Kampi i Tepelenës

blank
Emri Kampi i Tepelenës
Vendndodhja: Tepelenë
Viti i Ndërtimit: 1949
Viti i Mbylljes: 1953
Burimi i Informacionit: Kastriot Dervishi

Kampi nr.4 (më pas 6) Tepelenë, vitet 1949-1953

Ky kamp ka filluar nga funksionimi në maj të vitit 1949. Në Tepelenë u dërguan të internuarit e kampit të Beratit. Zhvendosja u shenjua nga një tragjedi. Gjatë rrugës, një makinë u rrëzua dhe bashkëshortët Fadil e Xhuma Petrela, humbën jetën. Katër fëmijët e tyre të mitur hynë në kamp pa prindërit, ndërsa qindra nëna dolën nga ai kamp pa fëmijët.

Karvani i të internuarve fillimisht zbarkoi në fshatin e Turanit, Veliqot dhe Memaliaj. Sipas Lek Pervizit, i internuar familjarisht në këtë periudhë, më i keqi nga këtë të tre ishte kampi i Turanit, ku ishte vendosur dhe shumica e të internuarve. Më vonë, u zhvendosën në afërsi të qytetit, në 6 kazermat e ushtrisë italiane që u populluan me nga rreth 200 banorë secila. Raportet dëshmonin për një përqendrim të lartë njerëzish që u dukej lëkura nga rrobat e grisura, ndërsa apeli për një përqendrim të lartë të familjeve të gjeneralëve, kryeministrave e ministrave. Burrat, gratë dhe fëmijët mbi 12 vjeç, prisnin dru në malet përreth dhe i transportonin në kurriz, me kilometra të tërë. Në gusht 1950, numri i të internuarve arriti 1400, nga të cilët 550 ishin fëmijë. Epidemitë, kequshqyerja, mungesa e ndihmës mjekësore, por edhe minat e lëna nën tokë, u morën jetën të paktën 300 fëmijëve. Eshtrat e tyre u zhvendosën disa herë nga duart e njerëzve dhe përfundimisht nga lumi i Bënçës. Kjo ndodhi sepse nëpunësit e kampit një ditë vendosën të heqin varrezat nga një fushë afër kampit për tek ura e Bençës. Prandaj banorët, burra e gra u detyruan te gërmojnë varret e atyre që sapo ishin varrosur dhe ti rivarrosnin në vendin e ri. Ky veprim i dha shkak hapjes së një epidemie të re dhe shkalla e vdekjes në kamp u rrit.

Kampi i Tepelenës u identifikua me dy numra, 4 dhe 6. Ky kamp u drejtua nga dy komandantë: Bektash Pogaçe (1949 –1952) dhe Haki Ibrahimi (1952-1953), të dy me arsimim të papërfunduar. Të internuarit jetonin të rrethuar, ndërsa rrethimi ruhej nga ushtarë të armatosur. Nëpunësit e kampit ishin të pamëshirshëm në detyrimin e banorëve, të përballonin punën pa kundërshtuar . Dënimi kundër atyre që tregoheshin të pabindur ishte i egër. Dënimi më i zakonshëm ishte lidhja e individit me tel të fortë, derisa ti takonte kockat dhe pastaj mbyllej në një qeli për një kohë të pacaktuar. Praktikisht nuk kishte parashikime për kujdesin mjekësor në kamp. Barnat praktikisht nuk ekzistonin, një doktor vizitonte kampin shumë rradhë dhe banorët nuk guxonin të kërkonin kujdes mjekësor, nga frika e keqtrajtimeve. Sipas dëshmive ata që dërgoheshin në spitalin e Gjirokastrës kurrë nuk ktheheshin më, zhdukeshin.

Vdekshmëria e madhe e fëmijëve në kampin e Tepelenës, por edhe nevoja për të konsoliduar institucionin e internimit solli mbylljen e dy kampeve të fundit tela me gjemba në fund të vitit 1953.

Sipas Lek Previzit, një prej të internuarve në kampin e Tepelenës, në vitin 1952, në kamp u ndalua puna e detyruar dhe forcat e punës u transferua në kampe të tjera për ndërtim objektesh për Ministrinë e Brendshme dhe në kampin e Fabrikës së Tullave në Tiranë, ndërsa në fund të nëntorit 1953, u largua kamioni i fundit me të internuar nga Tepelena. Ata u vendosën në fshatrat e Lushnjës, ku jetonin në baraka, të parrethuar, por të detyruar për t’u paraqitur në apel. (Si u krijuan dhe si funksionuan kampet e internimit ne diktaturen komuniste ne Shqiperi nga Lek Pervizi, www.radiandradi.com)

Kampi i Tepelenës, si thekson studiuesi Kastriot Dervishit, fitoi nam të keq në arenën ndërkombëtare, madje duke zënë vend në raportin e Qeverisë Amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955.

Të Internuarit