Kampi është hapur më 15.9.1953. Qëllimi i ndërtimit të tij ishte formimi i një qendre punëtorësh që do të bënin ndërtimet kryesore në Tiranë. Në fillim, në kamp punonin 529 të burgosur (ordinerë e politikë).
Disa muaj pas formimit të kampit, punonin 215 të dënuar politikë dhe 200 ordinerë, të ndarë nga njëri-tjetri në frontin e punës. Për të ruajtur të burgosurit shërbente një efektiv shërbimi, i përbërë prej 38 personash.
Në këtë kamp, ka ndodhur edhe një ngjarje e jashtëzakonshme teksa të burgosurit u orvatën të arratiseshin. Më 23.6.1954, kur kampi po ndërtonte pallate buzë lumit të Lanës në Tiranë, u zbulua një tunel që kishin hapur të burgosurit. Në një prej barakave të kampit është gjetur një gropë e hapur 50 me 50 centimetra, me thellësi 60 cm. Nga shikimi nga brenda rezultonte se kanali ishte hapur me mjete të forta si thikë e mistri. Brenda tunelit ishin gjetur edhe veglat e punës. Dheu ishte gjetur i shpërndarë brenda barakës. Regjimi mori masa të rrepta për dënimin e autorëve të ngjarjes. Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 189, datë 17.7.1954, në një seancë të mbyllur, i vlerësoi fajtorë të akuzuarit duke dënuar me pushkatim të dënuarit: Isuf Agolli, Mark Zef Pali, Zyhdi Mancaku, Abdulla Bajrami, Niko Malo (vuajti 19 vjet burg), Besim Latifi, Nasuf Gjilaj (vuajti 10 vjet burg). Katër të parët u ekzekutuan, ndërsa të tjerëve iu fal jeta. 13 të dënuar të tjerë u dënuan me burgime të rënda.
Në fund të vitit 1954, në kamp ulet numri i të burgosurve politikë. Raporti i kësaj kohe flet për 137 të dënuar politikë dhe 201 ordinerë.
Në bazë të urdhrit nr. 1620, datë 21.12.1955, reparti mori numrin 307. Urdhri hyri në fuqi më 1 janar 1956.
Në vitin 1956, në repart ishin më pak se 600 të burgosur.
Sipas të dhënave të vitit 1959, në kamp punonin 491 të dënuar.
Në vitin 1961, repartet 303 dhe 307 së bashku, me gati 600 të burgosur, punonin për llogari të ndërmarrjes “21 dhjetori” në Tiranë.
Të Burgosurit
- Isuf Agolli
- Mark Zef Pali
- Zyhdi Mancaku
- Abdulla Bajrami
- Niko Malo
- Besim Latifi
- Nasuf Gjilaj