Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Miniera “Todo Manço”, Bulqizë

blank
Emri Miniera “Todo Manço”
Vendndodhja: Bulqizë
Viti i Ndërtimit: 1954
Viti i Mbylljes: 1983

Miniera u hap më 17 shkurt 1948. Asaj iu dha emri “Fitore”. Deri më 1954 këtu punonin banorë nga zonat përreth Bulqizës. Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovakia dërguan inxhinierët e tyre për të parë e drejtuar punimet në minierën e këtushme.

Sipas informacionit të datës 27.7.1954, dhënë në komunikatën ditore operative, për repartin 301 Bulqizë, u kërkuan të punonin 515 të burgosur nën tokë dhe 223 jashtë saj. Por kur ishin 732 të burgosur, u dërguan të punonin 400 nën tokë dhe 110 mbi tokë. Për të siguruar të dënuarit, këtu u vendos një efekti ushtarak i përbërë prej 152 personave.

Në vitin 1969 këtu punonin një pjesë e të dënuarve të kategorizuar si të rrezikshëm, që kishin kryer krime të rënda.

Në vitin 1979 nga kushtet e rënda të punës, raportohej se më 26.1.1979 një aksident i rëndë i mori jetën 9 të dënuarve, çka është një prej aksidenteve më të rënda të ndodhura në këtë minierë.

Në vitin 1980 në repartin 301 Bulqizë rezultojnë 80 të dënuar politikë.

Vdekjet aksidentale ishin të shumta jo vetëm në minierë, por edhe në radhët e rojeve. Në vitet 1954-1982, në minierën e Bulqizës (reparti 301) kanë vdekur aksidentalisht sipas statistikës zyrtare 81 të burgosur.