Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Kampi i Porto-Palermos

blank
Emri Kampi i Porto-Palermos
Vendndodhja: Porto Palermo
Viti i Ndërtimit: 1949
Viti i Mbylljes: 1950

-Porto Palermo, dhjetor 1949 – dhjetor 1950

Kështjella e Porto Palermos është e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena dhe ishte e rrethuar nga deti. Ajo u përzgjodh si vend i mirë izoluar. Funksionoi si kamp internimi në vitet 1949-1950.

Më shumë se 200 të internuar nga Lozhani me rreth 40 të internuar të tjerë nga kampi i Tepelenës  u dërguan në  kalanë e Porto – Palermos. Të internuarit që u çuan në Porto Palermo do të duhej të jetonin në izolim të plotë dhe pa asnjë ndihmë mjekësore. Kishte mes tyre edhe mjaft fëmijë. Të dhënat për kampin fillojnë në janar 1950, teksa jepet shifra e përgjithshme e 181 të internuarve (82 burra, 62 gra dhe 37 fëmijë).

Këtu nuk ishte problem vetëm fjetja, por edhe uji i pijshëm. Ajo pak bukë bëhej brenda kalasë. Asnjë lloj komunikimi nuk kishte me tokën. Rastësia shpëtoi të internuarit nga tmerri i këtij kampi. Një anije italiane, në rrezik mbytjeje, u ankorua pranë vendit të kampit. Duke kujtuar se një veprim i tillë mund të çonte në të ardhmen në “arratisjen” e të internuarve, në dhjetor 1950 kampi u mbyll.

“Kalaja ishte plot biruca, ishte vend torturash. Na jepnin vetëm 200 gram bukë dhe marmelatë që ishte si tullë, margarinë të prishur (5 — 6 vjeçare). Aty …kemi qenë 400 të internuar ku me 5 kg fasule gatuanim supën në 2-3 kazanë për të gjithë të internuarit, një tas me lëng e me pak kokrra. Aty ku rrinim, kullonte uji nga tavani prej betoni, uji binte pika – pika dhe jorganët, rrobat, ishin të lagura. Uji ishte i njelmët. Në Porto Palermo u verbuan shumë pleq prej ujit të kripur” —dëshmonte Sabri Dërguti për këtë kamp”. Të internuarit janë përdorur për punë sezonale të detyruar për vjeljen e ullinjve në Himarë.

Komandant i kampit ishte Paskal Andoni.

Pranohej prej regjimit se këtu nuk kishte asnjë lloj shërbimi shëndetësor. Madje kishte pasur raste si ai 1 7 të internuarve, të cilët kishin nevojë operimi nga veshkat dhe apendesiti. Raporti përkatës nuk shkruan asnjë fjalë, nëse ishte bërë përpjekje për t’i kuruar personat, por thoshte vetëm se “vazhdojnë të qëndrojnë në kamp”. E ashtuquajtura çati pikonte vazhdimisht, ndërsa dritaret nuk fusnin dritë fare, lagështia ishte e madhe. Megjithëse regjimi ruhej në nxjerrje përfundimesh ekstreme, gjendja e këtij kampi paraqitej e rëndë”. Veçantia e tij ishte se kur u zhvendosën të internuarit, asnjë prej tyre nuk shihte nga sytë, pasi  kishin qëndruar në errësirë për një kohë të gjatë. Të dhënat e fundit për kampin janë ato të tetorit 1950. Pas prillit 1950 aty nuk raportohet më për fëmijë e gra.

Porto-Palermo, kalaja që verboi të internuarit në komunizëm

Lek Pervizi: Ferri i ditëve në errësirën e bodrumeve të Porto Palermos

 

Të Internuarit