Tirana ka qenë një kantier i vazhdueshëm ndërtimi, ku ndalonin, në periudha të ndryshme, të dënuarit e reparteve të riedukimit.
Në vitet ’50, 500 të dënuar u përqendruan pranë Lanës për të ndërtuar pallatet Agimi. Në vitin 1954, pasi u gjendën tunelet që të dënuarit kishin hapur për t’u arratisur, 4 prej tyre u dënuan me pushkatim dhe 13 të tjerë me vite të gjata burgu. Objekte të tjera të realizuara në këtë periudhë nga të burgosurit janë: zona e Zogut të Zi, stadiumi Dinamo, pallatet e rrugës “Myslym Shyri”, kombinati ushqimor dhe fabrika e bukës.
Në qershor 1962 reparti 309 u vendos në Tiranë për ndërtimin e pallateve “Puna” . Në fillim të nëntorit 1962 në repart punonin 535 të dënuar politikë dhe asnjë ordiner.
Me urdhrin nr.49, datë 17.1.1972 të ministrit të Punëve të Brendshme u krijua reparti nr.325 Tiranë në rrugën “Ali Demi” . Po atë vit, ishte mbyllur reparti me të njëjtin numër që ekzistonte në Ishull-Lezhë. Qëllimi i ngritjes së kampit ishte për ndërtime banesash. Shumica e të dënuarve ishin ordinerë. Në vitin 1976 në kamp ndodheshin 334 (punonin 225 të burgosur) të dënuar ordinerë, të cilët po ndërtonin 1.500 apartamente. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre përbëhej nga 29 persona.
Në vitet 1983 e 1984 në repart vërehet edhe prania e të dënuarve politikë si p.sh. ing. Shkëlqim Bumçi, por ai shihej si i rrezikshëm e për këtë arsye kërkohej të çohej në një burg tjetër. Në vitin 1985, në repartin 325 punonin 2 të dënuar politikë dhe 168 të dënuar ordinerë. Në vitin 1988 pati një rritje të madhe të numrit të të burgosurve politikë, në repart punonin 118 të burgosur politikë dhe 165 të dënuar ordinerë.
Në vitet ‘88-‘89, pati një tjetër zbarkim të dënuarish, shumica politikë, në Tiranë. Ata ndërtuan kompleksin sportiv Dinamo.