Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Kampi Shtyllas, Fier

blank
Emri Shtyllas, Fier
Vendndodhja: Shtyllas, Fier

Kamp pune për të burgosurit dhe vend internimesh.

Si kamp pune për të burgosurit ka funksionuar nga viti 1953 deri në vitin 1955, kur të dënuarit e Kampit Nr.2 punonin për hapjen në Shtyllas të kanalin ujitës Vjosë – Levan – Fier. Në vitin 1953, aty u dërguan të internuar nga kampet me tela me gjemba, të cilat u mbyllën ligjërisht, por duke qenë që këtu punonin të burgosur, edhe të internuarit vazhduan të jetonin të rrethuar brenda telave me gjemba.

Në vitin 1954 në kamp punonin 1011 të burgosur dhe 47 të internuar. Efektivi i repartit që ruanin të burgosurit ishte në 56 persona.  Në këtë kohë bashkë me kampin nr.2 punonte edhe kampi nr.3.

Kampi ka qëndruar në Shtyllas deri më 18 mars 1955. Në janar 1955 në kamp ishin gjithsej 715 të dënuar politikë dhe 172 ordinerë duke përbërë një trupë prej 887 të burgosurish.

Një histori e veçantë që tregohet për këtë kamp ishte përpjekja e guximshme e të dënuarve politikë për tu arratisur nga kampi i Shtyllasit. Rreth qershorit 1954 ata ndërtuan  një tuneli rreth 25 metra tokë, me anë të të cilit do të mundnin të arratiseshin. Duke përfituar nga fakti se vend-fjetjet ishin disa barake mbi tokë, ata kishin mundësi të gërmonin dheun. Në grup u futën edhe 3 grekë, të internuar ose burgosur, të cilët do udhëhiqnin rrugën më pas për në Greqi. Përpjekja e guximshme dështoi kur ishte në metrin e dytë të saj, pasi i dënuari Dhimitër Zonjatis u kap në flagrancë më 7.9.1954 duke gërmuar në krevatet e dy shokëve të tij Syrja Zenelaj dhe Duke Gremi. Vendi ishte përzgjedhur mirë, pasi ishte në të kundërt të portës të kampit. Kanali ishte bërë me thika e me kazma. Dheu nxirrej jashtë me një valixhe druri, si dhe me trasta. Për këtë vepër të guximshme u dënuan më 23.11.1954 nga Gjykata Ushtarake Territoriale Gjirokastër me veprim në Vlorë, personat e mëposhtëm:

1-Nexhi Ago Nexha (vitlindja 1930) nga Nivica, dënuar për arratisje më 1950. U dënua me 21 vjet burg.

2-Syrja Toto Zenelaj (1930) nga Kuçi, dënuar për arratisje më 1949. U dënua me 25 vjet burg.

3-Maksut Mustafa Kalemaj (1921) nga Koculi i Vlorës, dënuar për shitje bereqeti më 1951. U dënua me 22 vjet burg.

4-Muharrem Bektash Llanaj (1912) nga Levani i Tepelenës, dënuar për agjitacion, ish shoku i Vojo Kushit, në betejën e Kodrës së Kuqe në Tiranë, i vetmi i shpëtuar në këtë betejë. U dënua me 25 vjet burg.

5-Duke Ramadan Gremi(1933) nga Belini I Fierit, dënuar për strehim kriminelësh më 1950. U dënua me 12 vjet burg.

6-Dhimitër Andrea Zanjoti (1925), lindur në Korfuz, ardhur si emigrant grek më 1949, dënuar për arratisje. U dënua me 10 vjet burg.

7-Kristo Jorgji Aleksi (1924), lindur në Janinë, demokrat grek (komunist), dënuar pse kish dashur të arratisej. U dënua me 8 vjet burg.

8-Serafinos Kosta Safo (1917), lindur në Vollo, grek i internuar. U shpall i pafajshëm”.

Ky kamp mbeti një vend internimi deri në shembjen e regjimit komunist.

Të Burgosurit: