Më 25 shkurt 1965, 11 anëtarët e ekspeditës gjeologjike të Batrës, gjatë një përpjekje për të shpëtuar një prej miqve të tyre, u zhdukën nën një ortek të papritur në përroin e Batrës (rreth 5 km nga vendi ku u ndërtua më vonë qyteti i Krastës). Për nder të tyre, miniera e re e Batrës që filloi të funksionojë në vitin 1967 u quajt “11 heronjtë”. Krasta u themelua qytet në vitin 1970 si qyteti i ri i minatorëve të minierës së Batrës. Pas një viti, në vitin 1971 u vu në punë edhe miniera e re e këtij qyteti. 48 banorët e parë u vendosën në Krastë në vitin 1974.
Për të shfrytëzuar nxjerrjen e mineralit të kromit u hap një repart i ri riedukimi, kampi i Batër Martaneshi. Më 16 gusht të vitit 1975 filluan punimet dhe pas pak ditësh u vendosën 70 të burgosurit e parë ordinerë në këtë kamp.
Reparti i Batër Martaneshit mori numrin 301/1. Në këtë kohë reparti 301 i Bulqizës vazhdonte akoma punën. Në vitin e parë të punës, atë 1976, në kamp u regjistruan 382 të burgosur. Kapaciteti i repartit ishte për 600 të burgosur, por kjo shifër u kalua disa herë. Pastaj në vitet 1977-1983 mesatarisht për çdo vit ishin në kamp 700-900 të burgosur
Me urdhrin nr. 4, datë 6.1.1983, reparti 301/1, Batër, mori emërtesën e re “Reparti 301, Batër”. Këtu erdhën disa të burgosur nga kampi 301 Bulqizë i cili u mbyll. Në vitin 1984, shifra e të dënuarve ka shkuar në 739 të dënuar, por në fund të vitit shifra shkon në 912 të dënuar. Sipas raportit të datës 12.4.1984 në repart punonin 523 të dënuar me tre turne në 5 galeri. Ky repart u mbyll në vitin 1991 me rënien e regjimit komunist.