Sipas planeve të Ministrisë së Ndërtimit ishte parashikuar që në vitin 1974 të ndërtohej nga të burgosurit politikë, fabrika e pasurimit të bakrit në Fushë Arrëz. Për ndërtimin e saj ishin llogaritur një fuqi të burgosurish prej 200 -250 vetash, në një vend që ishte 2 km larg rrugës kombëtare. Për të ngritur repartin do shërbente një personel prej 62 personash. Por pas një studimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kjo e fundit arriti në përfundimin se ndërtimi i fabrikës nga të burgosurit dilte me kosto të madhe. Ndërtimi i kampit, pozita gjeografike si dhe kostoja e ruajtjes ishin ato që vlerësoheshin më shumë këtë rast. Nuk rezulton që projekti të jetë zbatuar.