Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Burgu i grave, Kosovë e Belshit

blank
Emri Burgu i grave, Kosovë e Belshit
Vendndodhja: Belsh, Elbasan
Viti i Ndërtimit: 1976
Viti i Mbylljes: 1991
Burimi i Informacionit: Kastriot Dervishi

Reparti nr.318 e ngriti kampin në Kosovë të Elbasanit gjatë viteve 1976-1991. Me urdhrin nr. 666/1, datë 24.12.1976 të ministrit të Punëve të Brendshme, reparti zhvendoset nga Kuçova në Dumre (Kosovë) të Elbasanit, duke shkëputur varësinë nga Dega e Punëve të Brendshme të Beratit në atë të Elbasanit. Synimi i zhvendosjes së repartit ishte aktivizimi i 400 grave në punë bujqësore. Në vitin 1977 në repart ndodheshin 470 të burgosur. Sipas të dhënës së datës 15.11.1978 në repart ishin gjithsej 426 gra, prej të cilave 60 për arsye politike.

Në vitin 1979 kishim një dinamikë të dënuarash prej 420-450 vetash. Prej tyre ishin rreth 360 ordinere dhe mbi 60 politike. E veçantë ishte se në kamp ishin 12 sovjetike, 2 jugosllave, 1 rumune. Në vitin 1980 shtohet edhe një italiane.

Tefta Koço Tasi (1933-2000) ishte 46 vjeçe kur u dënua në vitin 1979. Vëllai i saj ka hedhur në libër disa prej kujtimeve të Teftës, ndër të tjera edhe për repartin 318. Ajo tregon se gratë e afta për punë punonin në dy vende, në Dragot, 5 km larg nga reparti dhe në vendin e quajtur Gropa e Hamit Matjanit. Punonin në qilizmë dhe punë bujqësie. Të dënuarat ishin ndarë sipas llojit të dënimit.

Në vitin 1980 në repart ishin duke vuajtur dënimin 57 gra shtatzëna. Këto ishin dënuar me 2-4 vjet heqje lirie. Disa prej tyre kishin kërkuar nga gjykatat shtyrje të dënimit, por kjo nuk ishte pranuar.

Në vitin 1980 mesatarisht ishin 443 gra të dënuara, prej të cilave më pak se 70 politike. Kontrata e nënshkruar midis repartit dhe fermës së Belshit më 15.9.1980 parashikonte aktivizimin e 250 të dënuarve në punë. Parashikohej që gratë duhej të udhëtonin deri 4 kilometra larg repartit për të punuar në bujqësi.

Muaji prill 1990 është statistika e fundit e repartit me të burgosura gra. Në prill 1990 janë 41 gra ordinere dhe 1 politike.