Ky repart mbante numrin 302, dhe u hap në vitin 1982 në Lezhë. Në fund të atij viti u vendos që në këtë repart do vuanin pa dallim dënimin të dënuarit e paaftë e me raport të vërtetuar nga mjeku, kryesisht pleq.
Në burg u futën elementët e moshuar dhe ato të paaftë për punë. Kësisoj burgu 302 ishte vendi ku të dënuarit përgjithësisht nuk punonin. Sipas informacionit të shtatorit 1983, në repart vuanin dënimin persona të njohur si Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Vasil Kati, Zija Rexha, Miço Veshi, Kristofor Mërtiro dhe Hekuran Yzeiri. Një muaj më pas disa prej tyre do shkonin në burgun e Burrelit.
Në repartin 302 shërbenin 19 policë dhe 37 ushtarë. Në vitin 1985 në repart ishin 381 të dënuar politikë dhe 326 të dënuar ordinerë. Sipas studimit të bërë në fund të vitit 1986, në burg ishin gjithsej 588 të dënuar (386 të dënuar politikë dhe 202 të dënuar ordinerë). Nga të dënuarit politikë rreth 50% e tyre ishin dënuar për agjitacion e propagandë dhe 20 % për tentativë arratisje. Rreth 42% e të dënuarve ishin mbi 60 vjeç, 18% ishin të moshën 55 – 60 vjeç, etj. Këto karakteristika e bënin burgun në fjalë një vend ku qëndronin mosha të mëdha të lodhur nga burgimi i gjatë.
Sipas VKM nr.438, datë 20.12.1987 në këtë repart do hapej Shkolla e Riedukimit për të Mitur. Pastaj u mendua për mbylljen graduale të tij për pleqtë dhe hapjen e tij për moshat më të reja. Të dënuarit janë zhvendosur në repartet e tjera. Të dënuarit ordinerë shkuan kryesisht në repartin 301/1 Batër dhe ato politikë kryesisht në repartet 303 dhe 311.