Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Rreparti nr.319 Vlorë (Burgu i ri)

blank
Emri Rreparti nr. 319 Vlorë
Vendndodhja: Vlore
Viti i Ndërtimit: 1952
Viti i Mbylljes: 1964
Burimi i Informacionit: Kastriot Dervishi, Burgjet dhe Kampet e Shqipërisë komuniste, ISKK publication

Për shkak të vendndodhjes së papërshtatshme të burgut nr.11, në vitin 1952 u projektua sipas modelit sovjetik burgu i ri, me kapacitet për mbi 400 të burgosur në lagjen “Kushtrimi”, në hyrje të Vlorës, 50 metra larg nga rruga kombëtare Vlorë-Fier. Sapo hyje në qytetin e Vlorës, gjëja e parë që të binte në sy ishte burgu, një pamje që të kallte tmerrin me murin rrethues 3 metra të lartë dhe mbi të gardhi me tela me gjemba dhe kullat e rojeve. Brenda mureve rrethues ngriheshin katër ndërtesa: burgu i armiqve të popullit, burgu i të burgosurve ordinerë,  dhomat e izolimit, qelitë dhe drejtoria e burgut. Qelitë ishin 2×1, 2×2, 2×3, 2×4, 2×6 metra. Në burg mbizotëronin sëmundje të tilla si TBC-ja, zemra, malaria etj.

Më 30.10.1953 në këtë burg erdhën të dënuarit nga burgjet e mbyllura të Gjirokastrës dhe Beratit. Në vitin 1954 burgu përmblidhte të burgosurit e qarqeve Vlorë, Berat, Gjirokastër me rreth 464 të burgosur. Në vitin 1957 në burg ishin 266 të dënuar politikë dhe 300 ordinerë. Në vitin 1958 vuanin dënimin 194 të dënuar politikë dhe 190 ordinerë. Në fillim të vitit 1962 këtu vuanin dënimin 172 të dënuar politikë dhe 262 ordinerë që përbënin 434 të burgosur.

Siç shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, të dënuarit me vdekje që i mbanin në qelitë e paraburgimit të këtij burgu,  “i ekzekutonin 300 apo 500 metra larg nga qelitë, në vendin që quhej “hambar”, pyll me ullinj. Punëtorët e ndërmarrjes ullishte gjatë punimit të tokës gjenin vazhdimisht eshtra njerëzish. Ishin “armiqtë e popullit” që ishin pushkatuar”.