Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Fisniku dhe horri në kampin e Vlashukut

blank

Kjo është një histori e vërtetë e përshkruar në tregimin “Fisniku dhe horri” në librin me kujtime “Rini e copëtuar” të Reshat Kripës dhe e sjellë e shkurtuar. Tregohet si operativi i Sigurimit në kampin e Vlashukut e la të ndërronte jetë një të dënuar duke i mohuar ndihmën e nevojshme. Këtë e bëri pak pasi një nga të burgosurit i kishte falur tre flakonë penicilina që i kishin shpëtuar jetën djalit të tij

Në kampin e të burgosurve të Vlashukut, shembjet masive të truallit shkaktonin viktima të njëpasnjëshme, por panikun e përhapte, veçanërisht, operativi i sigurimit, Axhemi, nga Progjia e Gjirokastrës. Jani Konomit i rrinte mbi kokë dhe, me përbuzje, i shprehte një urrejtje të papërmbajtur: -“Ej, deputet!- Jepi belit, deputet!”. Jani ishte nga Narta e Vlorës. Kishte vënë kandidaturën në zgjedhjet e para, për deputet. Dhe kjo hile pushtetare, atij i ra mbi kokë: përfundoi në Vlashuk, i dënuar me 25 vjet burg. Në vitin 1953, operativit mizor, Axhemit, iu sëmur djali, i ftohur rëndë; temperatura e lartë nuk po i zbriste. Te mjeku i të burgosurve, doktor Isuf Hysenbegasi, i burgosur edhe ai vetë në atë kamp ku vdekjet e pacienteve ishin të zakonshme, Axhemi e uli hundën dhe ia çoi të birin për diagnostikim. Ia dinte zotësinë doktorit Hyesenbegasi, që ishte arsimuar në Perëndim. Doktor Isuf Hysenbegasi i tha se gjendja ishte tepër e rëndë dhe, po të mos bënte injeksionet e penicilinave brenda tri ditësh, i biri ishte vërtet i rrezikuar, por penicilinat në atë kohë nuk gjendeshin në vendin tonë.
Av. Jani Ikonomit, i kishte sjellë familja tre flakonë penicilina, për çdo rast. Jani kishte marrë vesh fatkeqësinë e të birit të Axhemit dhe ia kishte ofruar mjekut Hysenbegasi, të cilin e kishte mik,  që t’i përdorte për të birin e operativit. Familja e oficerit sa s’luajti nga gëzimi.  –“Po ku i gjete, mor jahu?”- i tha Axhemi, që ishte bërë si i ndërkryer nga fatkeqësia. – “Avokatit ia kishte dërguar familja” – i tha dr. Hysenbegasi. Operativi bëri një si gjest pendese.

Përshkruhet gëzimi familjar kur, pas injeksioneve, i ra temperatura djalit të operativit. Kanë vlerë të citohen edhe fjalët e së shoqes së Haxhemit: – “Epo, iu shtoftë ymri atij dhe fëmijëve të tij! Edhe ty, doktor, që u bëre copë për djalin tonë, si ta kishe fëmijën tënd!”. Të nesërmen u hap fjala në kamp se vogëlushi shpëtoi.

. . . Doktor Isuf Hysenbegasi e thirri në ambulancë, mikun e tij Jani Ikonomin: -“Përse më kërkon”? – “Të thirra të të jap një kafe,- i tha doktori. Djali e ka jetën nga ty. Ata për ne nuk do ta bënin kurrë atë mirësi që bëre ti (….). Sidoqoftë Axhemi më porositi të të pyes sesa kushtojnë penicilinat”. Jani ndjeu një të skuqur të lehtë në fytyrë. Përgjigjja vlen të citohet: – “Ç`kuptim do të kishte nderi, sikur të më paguanin për të?”

Por është e vërtetë ajo thënia e popullit se ujku qimen nuk e ndërron. Fshatari Bejo Vrazhdo nga Bolena, i dënuar me 15 vjet burg se kishte strehuar të vëllanë, diversant, ishte duke vdekur për mungesë ilaçesh. Doktor Isufi (ishte i pranishëm edhe Jani Ikonomi), i kërkoi Axhemit, që ambulanca e burgut të dërgonte ndihmësmjekun (oficer aktiv), që të tërhiqte  disa ilaçe në qendër. –“Ç’doni?- i pyeti me harbutësi Axhemi, – ju vjen keq për Bejon, që kishte strehuar armikun? Le të ngordhë, qeni! – “Zoti Axhem, është njerëzore të mos e lëmë të vdesë…- tha Jani; – “Kujt i thërret me emër, mor rezil? Më ke prerë kërthizën ti, burgjez i fëlliqur”? –iu hakërrye shpëtimtarit të djalit,  operativi”. (…). Dhe vazhdoi ai refreni qesëndisës: -Jepi belit, deputet!”.

Megjithëqë doktori i shërbeu bolenasit sa mundi, ky vdiq në duart e tij.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Related Posts