“Kampi i Savrës ishte afër qytetit të Lushnjës, me një distancë prej 4 kilometrash. Kampi ndahej në dy lagje: të lirë dhe skllevër (të internuar). Për shumicën dërmuese të të lirëve, ne ishim shkaktarët që shqiptarët vuanin për bukën e gojës; sepse ashtu u kishin thënë kasnecët e komunizmit dhe ata u kishin besuar verbërisht”.
Banesat
Shtëpitë ishin ndërtuar me tulla kamine, pra, tulla të bëra me dorë. Themelet e tyre ishin rrafsh me tokën, pothuaj dhe lagështia arrinte gjer në mesin e lartësisë së murit të ndërtesës. Edhe dyshemeja, me të tilla tulla ishte shtruar. Muret ishin suvatuar me dorën e parë e pastaj të lyer me gëlqere. Në një hapësirë prej 24 metra katrorë banonin dy familje, të cilat kishin në mes vetëm një mur ndarës.
WC
Asnjëra prej banesave të të internuarve nuk kishte tualet brenda. Ai ndodhej jashtë banesave dhe ishte i përbashkët për tri-katër familje. Hapësira e saj ishte 1 x 1m dhe ajo shërbente si për nevojat personale të secilit prej të internuarve ashtu edhe si vendi ku mund të bënin banjë me ujin që e mbanin me kova.
Kuzhina
Nuk ekzistonte as si koncept dhe as si hapësirë banimi. Kryesisht gatimet i bënin në një cep të barakës ose jashtë saj. Jashtë laheshin edhe enët me ujin që e mbushnin dhe e ruanin nëpër kova.
Uji i pijshëm
Për ujë të pijshëm në Savër ishin hapur disa puse deri në 3 m. thellësi. Në ato puse mbushnin ujë me kova të gjithë të internuarit e kampit. Aty gëlonin krimba, shushunja, mushkonja e bretkosa dhe uji nuk kishte ndonjë ndryshim nga uji i kënetës. Të internuarit e zienin atë ujë para se ta pinim.
Rrugët
Rrugët brenda kampit ishin të pashtruara. Në dimër, zhytej këmba gjer nën gju në një baltë që, siç thoshte një devolli, “ngjiste sikur të ishte gjalpë”.
Buka
Buka merrej me triskë.
Apeli
Bëhej dy-tri herë në ditë dhe lajmërohej nga një çangë varur në qendër të kampit. Sa herë binte çanga, të internuarit duhej të rreshtoheshin e të tregonin prezencën e tyre, përndryshe merrnin ndëshkime të ndryshme.
Policia
Policia ishte përherë e pranishme në kamp. Në vitet e para, për të dalë në Lushnjë duhej të merrje lejë në polici.
Nuk duhej të largoheshe nga kampi pa marrë lejë edhe pse mund të ishe i sëmurë e qyteti ishte katër kilometra larg. Po të mungoje në apelin e mbrëmjes të këshillonin e po ta përsërisje të çonin në degën e brendshme ku nuk mungonte edhe ndonjë torturë ose ndonjë degdisje nëpër kampet më të largët të Myzeqesë.
Puna në katër stinët
Shumica dërmuese punonin në bujqësi dhe afro tridhjetë vetë në ndërtim. Gjithë procesin e punës në kampin e Savrës, në të katër stinët e ka përshkruar për ne ish-i internuari Gëzim Baruti.
Pranverë
Ishte stina kur mbillej, vaditej, prashitej, rrallohej e hapeshin kanale. Me veglat në krahë e çantën e bukës në duar, kalonim xhadenë dhe kanalin e madh duke u gjendur para një fushe të gjerë e të pamatë. Parcelat më të largëta ishin 7 km, pra, 14 km rrugë, përditë, bëhej më këmbë. Pasi hanim mëngjesin, deri në orën 12.00 ishim nën diellin përvëlues. Pasi pushonim pak për të ngrënë drekën, ngriheshim e vazhdonim deri në 17.00, pra, 10 orë punë. Më 7 e 30’ mbërrinim në shtëpi, të lodhur e të rraskapitur sa nga puna aq edhe nga rruga dhe ushqimi i dobët.
Verë
Kjo është stina me ditët më të gjata, plot diell e temperaturë të lartë. Në verë ishte piku i të gjitha punëve. Niseshim qysh në 4.00 të mëngjesit. Deri në orën 8.00 korrnim bathë; pastaj shkonim të rrallonim ose të prashisnim misër apo pambuk. Ditë më vonë kalonim në shirje, trifili ose jonxhe, me kombajna të prodhimit lindor zhurma e të cilave të shurdhonte. Përveç zhurmës, gjatë shirjes ngrihej një pluhur që të mbyste pothuaj, duke bërë që të na dhimbte fyti e të na ngiste kolla pa pushim. Lexuesi e merr me mend se ç`pluhur kanë thithur mushkëritë tona gjatë një pune afro 40-vjeçare! Puna me shirjen vazhdonte gjer në mbrëmje vonë. Nëse kombajna prishej gjatë ditës, nuk paguheshim e nuk pyeste kush pse kishim mbetur 3-4 orë pa punuar. Për hije kishim vetëm kapelet prej kashte mbi kokë. Ajo kapele i bënte ballë temperaturës mbi 45 gradë Celsius. Ngjan si e pabesueshme, por është e vërtetë. Për t`u freskuar, disa herë në ditë, futeshim me gjithë rroba nëpër kanalet vaditës apo kullues. Pas gjysmë ore, rrobat na tereshin në trup e ne futeshim në ujë përsëri. Shpeshherë ktheheshim në kamp me ndonjë zetor që vinte për të marrë farën e jonxhës së shirë. Brigadierët që na drejtonin ishin njerëz të mire, por shumë të zellshëm për të çuar në vend “porositë” që jepte sekretari i partisë së fermës, një xhelat i bindur në dorën gjakatare të diktaturës komuniste. Megjithatë, ndër brigadierët nuk mungonin edhe xhahilët e sadistët që kënaqeshin me vuajtjet e mundimet tona të pafundme. ………
Vjeshtë
Kjo stinë ishte shumë e ngarkuar, me punë nga më të ndryshmet e më të vështirat. Plani i punës, zakonisht, na jepej në mëngjes, por shpeshherë na e jepnin qysh në mbrëmje e ne niseshim herët në mëngjes, në orën 4.00 ose 5.00, sipas largësisë së parcelës ku do të punonim. Zakonisht, vilej pambuk dhe korrej e vilej misër. Misri rritej e trashej dhe korrja e vjelja e tij kundroheshin si punë të rënda. Rruga deri te vendi i punës bëhej, thuajse përherë, më këmbë. Të futeshe në një misërore të merrej fryma e të mbulonte djersa ngaqë nuk ndihej era fare, edhe nëse frynte, aq të harlisura e të ngatërruara ishin degët e misrit! Në pjesën e sipërme të trupit s`mbanim veshje, madje as kanotiere. Djersa na kullonte prej kokës e gjer poshtë, mbi këmbë. Ujin që merrnim me vete e pinim shpejt e më pas pinim nëpër kanalet vaditës apo kullues: etja e madhe e përjashton cilësinë! Normat ishin të larta, pra, në proporcion të drejtë me urinë që mbante mbërthyer gjindjen e të internuarve. Pra, duhej punuar jashtë mundësive të tua ndryshe s`e kishe të gjatë jetën! E me gjithë vështirësitë ne ia arrinim, si për të vërtetuar fjalët e Nolit: “rron or rron edhe nuk vdes shqiptari”. Pas dhjetë orë pune, në varg të gjatë, niseshim për në shtëpi të lodhur e të heshtur. Buzëqeshja, humbur gjatë ditës së mundimshme, kthehej veç kur takoheshim në mbrëmje me të afërmit dhe fëmijët tanë. ……….
Dimër
Vetë komunizmi është një dimër i gjatë e nuk njeh asnjë stinë tjetër! Në kampin e Savrës nuk e provuam të ftohtin e stinës. Të punosh gjashtë muaj duke hapur vija e kanale nuk e ndien fort dimrin sepse të punosh me bel do të thotë të çlirosh shumë energji. Prej muajit nëntor e deri në fund të prillit, puna jonë ishte hapje kanalesh e vijash kulluese. Përgatitja fillonte një ditë më parë me mprehjen e kalitjen e belit, procese që i bënim përherë vetë. Me gjithë takën që i vendosnim këtij beli gërmonim deri në 40 cm thellësi. Norma ishte 9 metër kub gërmim. Duhej të na jepnin dy palë çizme në vit, por mezi arrinim të merrnim vetëm një palë të prodhuara nga një farë punishte gome, në Durrës. Këto çizme ishin skarcitete dhe brenda dy javësh fillonin të futnin ujë. Pas tri muajsh, merrnin kaq shumë pulla saqë na dukej sikur kishim veshur çizme llamarine apo çizme torturash nga ato që përdornin shërbyesit e Neronit “modern” ndaj të pafajshmëve të periudhës së lemerishme 1941 – 1991. Pra, me të tilla çizme shkonim në punë.
Norma
Të gjithë ne, pothuajse, bënim nga një normë e gjysmë, pra 13.5 metër kub në ditë, dmth. 252 lekë. Me këtë sasi lekësh mund të merrje dy bukë, gjysmë kile mish (kur kishte), dy sapunë Rrogozhine, dy paketa 18-lekëshe dhe një shkrepëse. Këto i merrnim ne që ishim në moshë të re. Po ata që nuk bënin dot as normën?!
Ishte një baltë kaq shumë ngjitëse saqë çdo ditë na humbte thundra e ndonjërës prej çizmeve që kishim mbathur. Këtë e kuptonim kur hynim në rrugën e kampit, pak a shumë e sheshtë, duke çaluar. Shpesh, gjatë punës me bel na futnin çizmet ujë e ne vazhdonim të punonim me këmbë të lagura kur temperatura ishte deri në -6 gradë celsius.
Puna me bel ishte rraskapitëse e prej kësaj, beli ka marrë emrin “vegla e varrit”.
Shkollimi
Shkollimi i lirë i bijve të të internuarve lejohej deri në klasën e tetë. Pas vitit 1980, gjimnazi ishte i ndaluar për ata. Lejohej të vazhdonin shkollën e mesme bujqësore e natyrisht vetëm natën. Kur, ndonjëherë, nuk arrinim të bënim furnizimin e blegtorisë për arsye që nuk vareshin prej të internuarve, ata ndëshkoheshin duke i çuar në një brigadë të keqe ku, siç thotë Gëzim Baruti, “drejtuesi nuk ish veçse një Cerber si ai i Ferrit të Dantes”.
Demaskimi
Në rastet kur pasi kishte mbaruar dita e punës të thërrisnin për një punë suplementare dhe i internuari për shumë arsye nuk mund të shkonte, pas pak ditësh, mund të gjendej para një demaskimi publik në brigadë e dy-tri muaj apo dy-tri vite mund të arrestohej me akuzën për “Agjitacion e propagandë” apo “Minim të pushtetit popullor”.