Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Prezantimi i Projektit

Harta që nuk duhet t’i mungojë Shqipërisë

Për shenjën e pashlyeshme që diktatura komuniste ka lënë në shoqërinë dhe historinë tonë, Shqipërisë i duhet domosdoshmërisht një hartë kujtese, e cila tashmë gjendet në këtë faqe në variantin më praktik të mundshëm të një harte digjitale. Nëpërmjet kësaj harte, fondacioni Kujto, me mbështetjen e KAS Albania, realizon një nga qëllimet e tij për pasqyrimin e të dhënave mbi krimet dhe viktimat e komunizmit në mënyrë praktike, interaktive dhe të aksesueshme nga kushdo.

Mbi hartën gjeografike të Shqipërisë janë shënuar me simbolet përkatëse: Burgjet, Kampet e Përkohshme të Punës dhe Vendet e internimit. Duam të theksojmë, që duke qenë që flitet për një hartë, kriteri gjeografik ka qenë parësori në plotësimin e saj. Kështu, edhe pse në Shqipëri në vitet ’50, u krijuan Repartet e Riedukimit, të cilat emërtoheshin me një numër dhe i zhvendosnin të dënuarit sa nga një kantier në tjetrin, në Hartën e Kujtesës janë shënuar vendet ku kanë punuar të dënuarit politikë të këtyre reparteve që me emërtesën zyrtare numerike, publikut nuk do i thoshin asgjë.

Në kategorinë Burgje bëjnë pjesë Vendet e Izolimit, “burgjet klasike”, ku të dënuarit nuk dilnin të punonin dhe Kamp-Burgjet, stacionet e përhershme të reparteve të punës, të cilat u ngritën përgjithësisht pranë minierave.

Në kategorinë Kampet e Përkohshme të Punës, janë vendosur Kampet e Para të periudhës komuniste para krijimit të reparteve të riedukimit dhe Repartet e Punës, stacionet e përkohshme të periudhës së reparteve të riedukimit, ku ato merreshin me ndërtimin e një fabrike, blloku banesash, aeroporti etj..

Megjithëse nga ana administrative, është po Kampi Nr. 2 që ndryshoi emërtimin në Reparti Nr.303, i cili fillimisht bëri punime, për një periudhë të shkurtër, në Peqin dhe, si përfundim, ndaloi përgjithmonë në Spaç, këto dy vende dënimesh, janë vendosur në kategori të ndryshme: Peqini, si një nga kampet e para të kampeve të përkohshme të punës, kurse Spaçi si kamp-burg. Dhe ky kriter është zbatuar në çdo rast, sipas specifikave përkatëse.

Kategoria e tretë është Vende Internimi, që përmbledh vendet gjeografike ku dërgoheshin të internuarit dhe jo emërtesën zyrtare “vend internimi” që zëvendësoi në disa raste emërtesën “kamp internimi”. Kjo kategori përmban Kampet e Rrethuara të viteve të para dhe vendet e Hapura, ku internoheshin të dënuarit pas mbylljes së kampeve me tela me gjemba.

Harta e kujtesës sjell gjithashtu Dokumente dhe Dëshmi të të burgosurve dhe të internuarve për ta bërë sa më të saktë dhe sa më të gjallë përfytyrimin për këto vende dënimi.

Të dhënat për burgjet, kampet e punës dhe vendet e internimit janë mbledhur duke shfletuar Arkivën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, studimet e deritanishme në këtë fushë, ku veçojmë autorin Kastriot Dervishi, botime të ISKK dhe shtëpive botuese me autorë ish-të dënuar politikë dhe dëshmitë e shumta që Kujto.al ka mbledhur gjatë këtyre viteve.

Kjo veprimtari është gjithmonë në proces për ta pasuruar nga ana e përmbajtjes dhe për ta modernizuar nga ana e paraqitjes, Hartën e Kujtesës, hartën që nuk duhej t’i mungonte Shqipërisë.

Projekt menaxher: Blerina Gjoka

Gazetare: Arta Çano

Kërkim Shkencor: Admirina Peçi

Perkthyes: Kelvin Zifla