Kushte të vështira, mbipopullim, mungesë higjiene. Relacioni i vitit 1974 zbulon gjendjen e rëndë të burgjeve të Tiranës
Reparti nr.313, ishte ndër burgjet më të rëndësishme në Shqipërinë komuniste. Ai shërbente si vend grumbullimi për të burgosurit që kishin marrë dënim të formës së prerë dhe vinin nga qelitë e Degëve të Brendshme në rrethe, në pritje për t’u shpërndarë në kampet e punës. Po ashtu, këtu vuanin dënimin një numër i kufizuar të burgosurish të dënuar. Të dyja burgjet e Tiranës, përfshi atë në rrugën “Mine Peza”, si dhe spitalin ishin në varësi të një komande reparti. Pavarësisht se reparti ishte në Tiranë, raportimet për të ishin gjithnjë problematike. Një raport i Prokurorisë së Përgjithshme për këtë repart dhe atë nr.325 pranonte këtë gjendje jo të kënaqshme, e cila nuk ishte e vetmja, pasi keqtrajtimi i të proceduarve ishte gjithnjë e më shumë skandaloz, por kjo përbënte temë tjetër.
Relacion mbi gjendjen e Repartit nr.313
Prokuroria e Rrethit të Tiranës ngre si problem gjendjen e papëlqyeshme në Repartin nr.313, nr.325 si dhe të dhomave të izolimit, gjendje që gjatë 3 vjetëve të fundit nuk ka gjetur stabilizim. Në bazën e këtyre informacioneve u pa në vend gjendja në Repartin nr.313 edhe nga ana jonë së bashku me shokët e Drejtorisë së Policisë dhe për të rregulluar disi gjendjen, u mendua të merreshin edhe disa masa të menjëhershme. Megjithatë, gjendja vazhdon të jetë e pastabilizuar në këto drejtime:
1-Në dhomat e izolimit të destinuara për 2-3 persona janë vendosur nga 5-7 persona. Shkak për një gjendje të tillë janë zgjatja e hetimeve mbi 2-3 muaj për disa të arrestuar megjithëse ata akuzohen për krime të thjeshta ordinere dhe pse për disa të dënuar nga Gjykata e Faktit ka vonesa të theksuara në marrjen e formës së prerë të vendimit.
2-Duke shërbyer si burg tranzit në Repartin nr.313 ndodhen sot gjendje 155 të dënuar për të cilët vendimi ka marrë formë të prerë dhe qëndrojnë rreth 1 muaj në pritje për t’u shpërndarë në vendet e vuajtjes së dënimit. Kjo gjendje shkakton që të dënuarit të mbahen në një dhome të përzier si me mosha të ndryshme, ashtu dhe për të dënuar përsëritës në krim.
3-Nga mostërheqja në kohë e të dënuarve të grumbulluar nga rrethet ose që vinë për t’u shtruar në spital, të dënuarit gjatë kohës që qëndrojnë në Repartin nr.313 në dyshekë dhe si shtresë e mbulesë përdorin deri në tre batanije mjaft të përdorura.
4-Higjiena në Repartin nr.3013 (në dhomat e izolimit, në dhomat e të dënuarve dhe në sanatorium) nuk i përgjigjet kërkesave higjieno-sanitare. Të paraburgosurit në disa dhoma nuk ishin pajisur me sapun për rreth 25 ditë. Dhomat nuk dezinfektohen dhe mjetet për pastrimin e tyre janë të papërshtatshme.
Në repartin e burgut në sanatorium nuk ka pastërti. Në dhoma nuk ka pështymore, për pasojë të sëmurët me TBC ndotin krejt ambientin e dhomës. Ajrimi i dhomave është i pamjaftueshëm.
5-Në kundërshtim me kërkesat e instruksionit, të dënuarit nën 1 vit heqje lirie, takohen me familjarët njëlloj si të dënuarit e tjerë.
Meqenëse ky problem nuk ka gjetur zgjidhje deri më sot, mendojmë t’iu vëmë në dijeni me qëllim që të merren masat e nevojshme për zbatimin e kërkesave të instruksionit në fuqi.
Tiranë, 28.3.1974
Prokurori i Përgjithshëm, Dhori Panariti