Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Jeta e 1500 familjeve në kampin shfarosës të Tepelenës

blank

Qamil Merlika, djali i Sulejman Merlikës, xhaxhait të Mustafa Krujës, ishte 4 vjeç kur u internuan për herë të parë në shtator 1944 (sapo ishte çliruar Kruja). Pas shumë peripecish e vuajtjesh familja e tij përfundoi në kampin e tmerrshëm të Tepelenës. Në këtë kohë  Qamili ishte rreth 9 vjeç. Ai ka kujtime të qarta për jetën në kamp dhe i ka lënë dëshmitë e tij në një prej intervistave të vëllimit II “Zërat e kujtesës”. Nga ky rrëfim kemi shkëputur disa prej kujtimeve të tij nga jeta në kamp, ku vuajtën tmerre pa fund rreth 1500 familje kryesisht pleq, gra e fëmijë.

Ja dëshmitë e Qamil Merlikës:

“Në kampin e Tepelenës që ndodhej në breg të lumit mu në hyrje të Tepelenës u strehuam në dy kazerma. 1500 familje në dy kazerma.

Ushqimi

Ushqimi aty ishte një supë kazani. Dhe jo e gatuar tamam në kazan, por në një fuçi “Agip”-i (një shoqëri italiane e karburanteve), së cilës i kishin prerë kokën dhe përdorej si kazan për ushqimin. O bollgur ose oriz i papastruar, krejt krunde. Ndoshta i hidhnin a s’i hidhnin një kilogram vaj gjithsej, për gjithë kazanin. Dhe krerët e familjeve duhet të rrinin në radhë për të marrë racionet e ushqimit me gavetë në dorë, racione që ishin: një lugë për njeri. Pesë lugë për pesë vetë dhe nga 400 gr.bukë për secilin. Kaq. Më të shumtën bukë misri, por kishte ditë që na jepnin edhe bukë gruri. Por edhe kur kishte bukë gruri  ajo lagej e squllej rrugës, sepse vinte me një makinë të hapur, nëpër shi (se atje s’pushonte shiu ndonjëherë), saqë kur mbërrinte ishte bërë si bukë për pula.

Strehimi

1500 familje u sistemuan në shtretërit e ushtrisë, shtrat marinarësh me dy kate. Një familje poshtë e një familje sipër. Rrinim të rrethuar me çarçafë për tu veçuar nga njëri-tjetri.

Kampi brenda  kishte zonën neutrale, ku ishte vendosur komanda dhe ku ndodhej çezma dhe dera. Dera kryesore ishte me tela. Rrethuar karakoll me roje. Ishin tetë banjo dhe tetë çezma gjithsej, të cilat dikur kishin qenë të ushtrisë italiane. Uji nuk kishte presion gjë që e bënte shumë të vështirë që të gjithë ato njerëz të mbaronin punë. Imagjinoje se çfarë tmerri ishte: kush mund të mbushte ujë më para, kush mund të kryente nevojën më përpara. Higjena ra përtokë. Morrat shkonin varg, sidomos për ata që nuk kishin mundësi tu vinin të afërmit për t’u sjellë ndonjë sapun, a ndonjë gjë, kryesisht ata që vinin nga zonat e largëta si Kukësi e Tropoja. Morrat filluan të ecnin e të vinin edhe tek ne. Pra ne duhet të gjenim një zgjidhje për t’u larë…

Ne fëmijëve na lejonin me dalë me marr dru pa roje. Bëhet fjalë për një barrë kërthia sa për të ndezur zjarrin jashtë e për të vënë kazanin. Atëkohë unë isha nëntë vjeç. Kishim disa enë italiane që shkonim e mbushnim në Vjosë. Si më të vegjël ne futeshim poshtë telave dhe kur ktheheshim nuk na thoshin gjë. Por pa zjarr, pa drita… më kujtohet se nëna do të na lante aty, në një ambient të improvizuar me çarçafë në mes të të ftohtit…

 Dhunë mbi fëmijët

Pra ujin mund ta mbushnim në Vjosë ose tek cezma e oficerëve. Një ditë mora shtambën dhe shkova për ta mbushur në çezmën e oficerave. Isha bashkë me Sokol Mirakajn me të cilin isha moshatar. Oficeri na pa. Doli, na kapi, na lidhi të dyve pas çezme. Na mori enët e ujit dhe na i derdhi. Pas nja dy orësh kur pa që po më thërrisnin motrat, na mori e na futi brenda në një dhomë. Atje më goditi mua fillimisht, por krejt papandehur. M’u soll bota rrotull. Pastaj ia filloi me shqelma e shpulla dhe më thoshtë “Qaj!”. Unë nuk qaja prej inatit. Më plasi gjak prej hundësh.

Pastaj ia filloi me Sokolin, por pak më butë. Dhe e çuditshme është se nuk erdhi asnjë i familjes për të na marrë. Gjyshja i kishte thënë nanës: “Shko e merre djalin!” Por nana nuk kishte pranuar: “Jo nuk i lutem atij unë!” Dikur aty nga ora 10-11 e natës erdhi komandanti i madh që kur na pa e pyeti oficerin: “Çfarë bëjnë këtu këta?”. Dhe na liroi. Ishte më burrë ai. Pra më në fund na lëshuan….

Vdekjet e fëmijëve

Pavarësisht se isha i vogël, i mbaj mend mirë ulërimat. Pyesnim se çfarë kishte ndodhur. “Ka vdekur filani”- thoshnin. Vdisnin sidomos fëmijë dhe pleq.  Ndodhte që dikush nuk fuste gjë në gojë për 2-3 ditë, për t’ia dhënë fëmijëve. Shumica ishin nga Kukësi, Puka, Tropoja, që nuk kishin as të afërm që t’i shihnin e t’u sillnin ndonjë ushqim… Kam parë me sytë e mi, kur vdiq nana e Prenk Pervizit. Ajo nanë që i kishte dhanë bukë gjithë Veriut (sepse pa ndalur në shpinë e tyre askush nuk mund të kalonte Matin) vdiq vetë urie. Kishte me vete dy djemtë e Prenkës: Valentinin dhe Lekën. Më kujtohet si sot kur e varrosën: e hapën gropën, i vunë disa rrasa rrotull dhe e mbuluan me rrasa.

Fëmijët vdisnin nga një e nga dy. Përditë. Për sa kohë kemi ndejt atje. Një tmerr i vërtetë”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Related Posts