“Në cilin vit shkuat në Spaç?
Në ’74-ën. Në fund të ’74-ës.
Çfarë punë bëtë në Spaç?
Në Spaç, nën tokë kemi punuar, në galeri 8 vjet, 7 vjet e gjysmë se gjysma kaloi këtu. Pa dalë asnjë ditë nga galeria, në miniera.
Në ç’kushte punonit?
Kushtet ishin shumë të vështira. Hyje brenda dhe nuk kishe garanci do të dilje gjallë apo s’do dilje se kishte pasur raste që ishin vrarë shumë, i kishte zënë galeria. Një natë, atje, ra galeria dhe zuri tre veta, djem të rinj. Ishin nga Malësia andej. Të tre u vranë, etj etj.
U vranë të tre?
Të tre i mbuloi galeria.
I mbani mend emrat e tyre?
Po njëri më mbahet mend, i thoshin Kolë Mani.
Ishte i ri ?
I ri. Të tre të rinj ishin. Ata djemtë e rinj i fusnin minator.
Ata që vdisnin në galeri, ku i çonin?
Këta u bënte edhe ndonjë arkivol komanda atje dhe ishte një vend enkas për varret e të dënuarve, të burgosurve që vdisnin. Ishin në Shën Pal, atje rrinin edhe me roje që i ruanin. Edhe të vdisje atje, në familje nuk të jepnin. “Kur të mbarojë dënimin-thonin- atëherë mund ta marrë familja”. Ja kjo ishte puna.