Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Të varrosur të gjallë në kampin e Vloçishtit

blank

Pjesë nga dëshmia e ish-të dënuarit të kampit të Vloçishtit, Skënder Dumes, publikuar në gazetën “Flamuri” në Romë, në vitin 1951, pasi Skënderi ishte arratisur nga Shqipëria

 

Për sa i përket punës, çdo i burgosur, në këto kondita të vështira duhej të plotësonte normën e caktuar, mbasi përndryshe, je vetëm që e rrihnin, por i prisnin ushqimin dhe duhanin. Të rinjtë duhej të plotësonin nga 2-3 norma, ndryshe konsideroheshin sabotatorë, pasi ata gjoja kishin mundësi të jepnin rendiment më tepër.

Të gjithë intelektualët dhe veçanërisht fetarët ishin ata që rriheshin më tepër për t’u bërë shembull ne të tjerët.

Për të dhënë tmerr në masat, përditë policët futnin në kanal dhe mbulonin të gjallë me dhe e me ujë shumë veta nga këto kategori. Kam parë me sytë e mi kur rreshteri i policisë Hito Hito ka mbuluar të gjallë në kanal Tefik Hoxhën nga Elbasani, ish-nënkolonel Sulejman Vuçiternën, një avokat, Baba Qazimin dhe Josif Papamihalin, kryetar i kishës unite (në origjinal thotë gabimisht “katolike”) të Korçës.

Përveç këtyre torturave, për të cilat kish urdhëruar drejtori vetë, ky një ditë vrau vetë një të burgosur me shkelma dhe pushkatoi 5 të tjerë, ndërmjet të cilëve më vjen ndër mend Nesim Luarasi, një djalë i ri nacionalist, i cili qysh prej një viti ndodhej i rënë në shtrat nga pneumonia dhe që u mor në kamp me batanije, pasi nuk ishte në gjendje të ngrihej vetë.

Nga gjithë këto vuajtje, dëshpërimi kishte arritur kulmin një ditë kur tregtari Kiço Misrasi nga Korça vari veten me një copë tel në kamp.

Drejtori i kampit ishte sa injorant aq edhe egërsirë nga shpirti. Një ditë na mblodhi të gjithëve në kamp, natyrisht jashtë orarit të punës dhe pas një diskursi të gjatë që mundet të bëhet prej një xhahili në këtë rast, na tha se gjoja një shoku ynë student, i cili mban shtetësinë amerikane kishte biseduar me disa veta për liri dhe demokraci. Mbasi shau këtë me fjalët më të ndyra e lidhi pas një shtylle, ku e la 3 ditë e 3 net. Ky i ri i rritur dhe i edukuar nga prindërit me idenë e lirisë, nuk u përul përpara këtyre torturave, por qëndroi dhe qëndron gjithnjë si një granit.

Meqenëse familjet tona kishin dëgjuar për punën e rëndë që bënim, me qëllim që të na ndihmonin, na dërgonin ndonjë pako me sende ushqimore. Mirëpo Skënderi (Xhemali-shënim) dhe Vaska (Deshiri-shënim) i mbanin për veten e tyre dhe ne për të mos kërkuar, na thërrisnin natën në zyrë dhe na rrihnin me pretekste se gjoja bisedonim politikë me njëri-tjetrin.

Drejtori shpeshherë mblidhte nga të burgosurit me mijëra lekë me qëllim se gjoja do të na përmirësonte ushqimin. Ishte mësuar në Korçë me fushatat e këtilla që bënte në burg, me unazat, sanatet dhe stilografët që mori nga gjithë ata që u arrestuan dhe me vlerën e tyre ngriti edhe një pallat tjetër në Korçë.

Nga gjithë këtë vuajtje, si nga torturat, nga uria, nga sëmundjet dhe nga plumbat e policëve, në këtë kamp vdiqën 132 të burgosur, midis të cilëve mbaj mend këto emra: At Josif Papamihali-kryetar i kishës unite të Korçës, Dervish Mediu i teqesë së Leskovikut, tregtar Lakoja, Abdulla Peltusha nga Pogradeci, Sabri Çelo nga Leskoviku, Nikollë Tirana-tregtar nga Durrësi, Karafil Bylykbashi nga Bilishti, Virtyt Gjylbegaj nga Shkodra, Bexhet Frashëri, Ymer Faslliu, Tefik Hoxha, nënkolonel Sulejman Vuçiterna, Baba Qazimi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Related Posts