Dëshmia e Beqir Ajazit
Nga kampi i Bedenit, ku punonin për tharjen e kënetës së Zhabjakut, një grup të dënuarisht, u dërguan në kampin e Lekajt. Aty do të ulnin kodrat për të hapur rrugën e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë. Ishte një punë shumë e vështirë që duhej kryer nën shtypjen e dajakut dhe urisë. Pikërisht nga kequshqyerja, mes të dënuarve u shfaq verbimi. Një degradim që ka ndodhur edhe me të internuarit në kampin e Porto-Palermos.
Beqir Ajazi përshkruan situatën në kampin e Lekajt, ku veç verbimit, të burgosurit patën edhe probleme të tjera shëndetësore të shkaktuara nga ushqimi i keq dhe trajtimi i pamëshirshëm i rojeve.
Gjatë punës në atë kamp të mallkuar, bën krye një fenomen që nuk kishte ndodhur më parë. Një pjesë e konsiderueshme e të burgosurve, sidomos e atyre që nuk kishin kurrfarë ndihme nga familjet, zunë të verboheshin krejtësisht, në kohën kur nuk kishte diell. Shokët dhe miqtë e tyre, i merrnin këta të mjerë për dore që në orën katër, kur bëhej zgjimi dhe nuk i lëshonin, vetem se kur të lindte dielli dhe të shndriste tërë botën. Vetëm atëherë u vinin sytë këtyre të mjerëve. Në 1200 veta, numri i këtyre të verbërve specifike mund te arrinte padyshim në 400 veta.
Ndonëse në mënyre sekrete, ashtu siç i bëjnë komunistët gjërat edhe më të vogla, Komanda e kampit kishte alarmuar Kavajën dhe Ministrinë. Për këtë erdhi një komision mjekësor nga Kavaja. Që nga ajo ditë, kampin tonë e gëluan zarzavatet e sidomos qepët e njoma dhe të thata, te cilat duhej t’i hanim pa pushim dhe pa racion. Seksioni i tregtisë së Kavajës “rroftë sebepi” pastroi nga kalbësirat të gjithë dyqanet e rrethit dhe i solli aty te ne. Natyrisht, zarzavatet e tjera të kalbura ose në kalbëzim e sipër, na i zienin në një kazan gjysme fuçie, u hidhnin brenda një shishe gjysme kiloshe vaji dhe na i servirnin t’i hanim në pikë të zhegut.
S’do mend se nga ngrënia e këtyre kalbësirave, të shumtë ishin nga ne, që i kishte zënë barku i keq, me rrezik dizenterie. Ndër këta fatkeqë, ndofta dhe më rëndë se të gjithe, isha dhe unë.
Në fillim e durova me shpresë se do të më kalonte vetvetiu, po meqë sëmundja ime sa vinte e rëndohej, infermieri më dha tri ditë pushim. Mirëpo, tetar Meçani ishte dhe më i fortë nga infermieri dhe nuk të linte pushim, po të nxirrte, po të që nevoja, edhe me dajak. Kështu, hiq bark tmerrësisht dhe dil gjithë ditën në punë dhe ha zarzavate të kalbëzuara, erdha e u bëra kockë e lëkurë. Kishte shumë mundësi që të kisha kaluar në dizenteri dhe kjo, në kushtet e atyshme, do të thoshte vdekje. Infermieri i shkretë, atë që kishte mundësi, e bënte. Më linte pushim. Më tutje ai nuk kishte kurrfarë kompetence”.