Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Dokumenti që nënshkruanin të internuarit

blank

Një biletë nga Tirana në fshatin Gjorm të Vlorës, vetëm vajtje

Internimi niste me një dokument, me anë të të cilit i dënuari njoftohej që ndaj tij ishte marrë masa e internimit dhe të cilin detyrohej ta firmoste. Ai mbante përgjegjësi ligjore nëse lëvizte jashtë zonës së përcaktuar.
Për rastet e tilla internimi, jepej një territor të caktuar. I internuari nuk kishte të drejtë të lëvizte pa leje sepse ndryshe dënohej penalisht deri në 3 vjet heqje lirie. I internuari paraqitej çdo ditë te përfaqësuesi i MPB-së apo pushtetit, i caktuar për verifikimin e vendndodhjes së tij.
Në këtë dokument shihet emri i gruas së internuar për arsye politike me vendimin nr.11, datë 13.10.1975 të Komisionit të Internim-Dëbimeve, nga Tirana në Gjorm të Vlorës, së bashku me bashkëshortin Dhimitër dhe nënën e tij.
Në arsyetimin e vendimit thuhej se masa merrej sepse “janë familje me prejardhje të keqe politike, kanë qenë në burg ose pjesëtarët e familjeve të tyre për veprimtari armiqësore dhe se aktualisht nuk mbajnë qëndrim të mirë politik”.
Komisioni i Internim-Dëbimeve vepronte këtë kohë pranë Këshillit të Ministrave.
Si bazë ligjore përmendej dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.1906, datë 2.8.1954 “Mbi internimin e dëbimin si masë administrative”, i cili në fakt u ndryshua me dekretin nr.3027, datë 12.1.1960, sipas të cilit ndryshoi përbërja dhe vendndodhja e komisionit nga Ministria e Punëve të Brendshme në Këshillin e Ministrave. Këtë kohë komisioni drejtohet nga zëvendëskryeministri. Në përbërje të tij ishte ministri i Punëve të Brendshme (zëvendëskryetar), prokurori i përgjithshëm dhe kryetari i Gjykatës së Lartë.
Praktika për të internuarit për çështje politike përgatitej nga organet e Sigurimit të rrethit, ndërsa për çështje ordinere nga organet e Policisë me të njëjtën procedurë. Për të dyja rastet merrej pëlqimi i kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme e miratimi i sekretarit të parë të PPSH-së në rreth. Propozimet kalonin për miratim në Komisionin Qendror në Tiranë.
Komisioni jepte masë deri në 5 vjet internim ose dëbim. Internimi ishte një vend i caktuar, ndërsa dëbimi me të drejtë lëvizjeje deri në 2-3 rrethe. I internuari kishte detyrim të paraqitej çdo ditë në organin që caktohej.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Related Posts