Estref Musaj rrëfen kushtet në kampet shfarosëse, në të cilat kanë humbur jetën disa të dënuar
Estrefi, djali i një patrioti nga rrethi i Elbasanit, u arrestua në moshën 26-vjeçare, 13 muaj pasi ishte martuar, për shkak të disa trakteve me përmbajtje antikomuniste që kishte marrë në zotërim. Pas hetuesisë dhe gjyqit, u dënua me 8 vjet heqje lirie. U dërgua fillimisht në kampin e Maliqit, më pas në Gosë të Kavajës, te Rrapi i Trishit në Tiranë e me radhë nëpër kampe të ndryshme pune, në Cërrik, kampin e Varibopit, në Vlashuk e si përfundim në Bulqizë nga dhe u lirua. Në intervistën e tij për kujto.al marrë nga arkiva e familjes Doko, Estrefi ka treguar kushtet e vështira të kampeve, sjelljen çnjerëzore të drejtuesve të tyre dhe punën rraskapitëse.
Sipas dëshmisë së tij, në Varibop ishte tmerr mbi tmerret. Ja si e përshkruan ai këtë kamp pune:
“…Nga Kavaja ne, shkuam te Rrapi i Trishit në Tiranë. Na çuan me tren, me vagona të mbyllura …Atje bëhej një stadium për ushtrinë: kazerma ushtarake, dhoma stadiumi, pastrime, se ishin të reja, i mbushëm me dhe. Prej aty, na prunë këtu në Cërrik. Bëhej rafineria e naftës. I bëmë themelet aty, i bëmë kanalet, i bëmë një pritë lumit, të tëra ato. Prej aty na çuan në Varibop. Atje ka qenë tmerri, në Varibop, atje nuk kishte ditë mos të vdisinin dy, tre, katër, në ditë.
Çfarë bënit në Varibop?
Kanal kullues, prisnim ato malet.
Vdisnin të burgosur në kanal?
Po, në kamp.
Nga se vdisnin?
Ja ta them. Ishte kanali, e çamë ne kanalin, mirëpo kanalit nuk i ishte hapur gryka, ishte me ujë. Ne, në mëngjes, se ishte dimër, na futnin në kanal dhe do vinim nëpër kanal atje ku punonim. Atje ku punonim kishte dalë Vjosa dhe ishte me zhavorr. Plus zhavorrit, kishte edhe rrënjë shelgu… T’i bije me kazëm, s’bënte, s’të linte uji. Edhe me bel edhe me gjëra të tjera. Ishte një Adem Skëndo operativi atje. Kur vinim që këtej ne, nëpër ujë, te kampi, ky Ademi vinte aty edhe u thoshte atyre: kush e ka bërë normën, kush s’e ka bërë. Në të vërtetë, nuk e kishte bërë asnjë, se s’bëhej. Edhe brigadieri atëherë do nxirrte 5 a 6, 10 a 15, i nxirrte këta. Mirëpo ne ishim 6 brigada, në këmbë aty, dy orë a tri orë a…bënte qejfin e vet ai. Si përfundim, i merrte këta, ai kampi ishte pak si dishezë kështu. Këtu në fund drejtohej. Edhe ishte i mbushur me ujë. I merrte këta, edhe i fuste në atë kanal, në atë ujë, tak e tak, se s’ kishin bërë normën. Ne të tjerët atëherë, natë bëhej, na jepnin atë kafshatë bukë, atë kafshatë gjellë, hynim brenda. Hynim brenda ne, na numëronte në ora nëntë. “Oo ka dalë gabim”! Na nxirrnin dhe një herë përsëri. Ai i bënte të gjitha, aq shpirtkeq ishte, Adem Skëndoja. Si përfundim ia vunë atëherë, dy, tre, katër, në ditë. I linin ata të vdekur, do varroseshin, do futeshin në dhe na merrnin ne. Vinim ne nga puna, merrte cilin të kapte. Ditë për ditë të vdekur. Ka qenë një herë, ishte një, këtej ishte nga Veriu dhe ai. Një djalë i madh ai, një djalë i gjatë. Edhe në punë kishte qenë tërë ditën. Xhelal, Xhelal Sharku, i thoshin. Kishte një shok, i thoshin Nazmi Xhafi. Ishin po prej asaj ane. Ky Xhelali, si kishte ardhur nga puna, shtrirë kështu në bark. Ky Nazmiu hante bukë. Mirëpo një shok që kishim ne, këtej përballë, I thotë: “O po ai do mbetet pa bukë, ai Xhelali”. Ai: “O Xhelal, o Xhelal”. E la. Ky shoku ynë zbriti. Vajti e shikoi: “ky paska vdekur”, thotë, Xhelali, Xhelal Sharku. Morën doktorin. “Ky ka mbaruar”, tha. Do me thënë erdhi nga puna, ra dhe vdiq. Aq ashtu ishte.”