Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Jeta në kampin e Tepelenës

blank

 Kampi ndodhej në anë të lumit të Bënçës, në sheshin poshtë qytetit të Tepelenës. Në atë fushë, dikur italianët kishin ndërtuar një varg kazermash, të gjitha në formë drejtkëndore. I gjithë kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba dhe me gardh policësh, që vareshin nga një komandë policie e posaçme që ishte vetëm për ruajtje dhe mbikqyrje të rreptë jo vetëm të kampit si territor, por të të gjithë njerëzve që ishin në të.

Në hyrje të tij ishte një portë e madhe e mënjëherë pas saj, vinin një varg zyrash ndërtuar për komandën e kampit.

Të gjithë të internuarit jetonin në kapanonet e ushtrisë italiane.

Të internuarit në këtë kamp kanë mbërritur me disa kontigjentë. Një pjesë e madhe e tyre u vendosën aty në vjeshtën e vitit 1949, pasi i kishin zbritur nga kampi i Turanit, ku epidemitë kishin shkatuar qindra vdekje gjatë muajve të verës së atij viti.

Kazermat e ushtrisë ishin të ftohta, brenda tyre ishin ndërtuar me dërrasa krevate dykatëshe, ku zinin vend të gjithë të internuarit. Ai vend ishte hapësira e tyre e jetesës. Aty jetonin të gjithë bashkë burra, gra, fëmijë e pleq, nga të gjitha anët e Shqipërisë. Nuk kishte asnjë mundësi për të pasur një ambient privat për familjen sado të ngushtë. Çdo detaj i jetës brenda kazermave ishte si i kampeve të përqendrimit nazist.

Brenda kazermave nuk kishte energji elektrike, nuk kishte zjarr dhe as ujë të pijshëm. Ujin, të internuarit, e mbushnin me lejën e policëve në çezmën pranë komandës së kampit dhe e ruanin në ato pak enë që kishin secili.

Kazermat vinin rresht në mënyrë rrethore dhe në mes ishte një fushë ku të internuarit dilnin të gjithë jashtë sa herë bëhej apeli, ose çdo të diel kur kazermat pastroheshin. Në atë fushë fëmijët edhe luanin lojrat e tyre gjatë ditës, kur prindërit apo të afërmit dërgoheshin në punë të detyruar.

 

Ushqimi

Në kampin e Tepelenës, të internuarve u jepnin një racion buke për gjithë ditën, pra 600 gramë bukë. Në drekë, u jepnin një garuzhde supë, e cila gatuhej në një kazan të madh dhe, sipas dëshmive të shumta të të mbijetuarve, në të kishte më shumë krimba se ushqim. Në darkë u jepnin edhe një garuzhde çaj.  Me një ushqim të tillë shëndeti i të internuarve degradonte nga dita në ditë derisa sëmundjet nisën të shkaktojnë valë të njëpasnjëshme vdekjesh në kamp.

 
Një ditë pune në kampin e Tepelenës, 1949

Pasi flinin në krevatet e drurit ngjitur me njëri-tjetrin, mbi 100 persona në secilën kazermë, orët e gjumit mbaronin shumë shpejt. Në orën 4.00 të mëngjesit binte çanga. Policët hynin brenda çdo kazerme dhe urdhëronin me zë të lartë të internuarit që të dilnin në oborr për të bërë apelin. Brenda pak minutash, të gjithë të internuarit dilnin jashtë në oborrin e madh mes kazermave. Në dëshmitë e shumta të të internuarave gjejmë shifra të ndryshme, që i referohen edhe periudhave të ndryshme të jetës aty. Mbipopullimi i madh është shënuar në shtator të 1949-ës, kur sapo ishte vrarë Bardhok Biba dhe kamionët ndalonin pothuaj çdo ditë në kamp për të shkarkuar të internuarit e rinj që u shtoheshin ekzistentëve.

Apeli zhvillohej pak minuta pas rënies së çangës dhe zhvillohej sipas sektorëve, ku çdo polic kishte sektorin e vet. Pas kësaj, urdhëroheshin pleqtë dhe fëmijët, pra ata që nuk ishin të mundur për punë dhe që ishin saktësuar më parë që të futeshin brenda në kapanon, ndërsa të tjerët, gratë dhe burrat e caktuar për punë, duhet të niseshin aty ku ua caktonte komanda, kryesisht në mal për të mbajtur dru, por edhe në objekte që po ndërtoheshin përreth në atë kohë.

Kjo është dëshmia e Hyrije Kupit për ditën e saj të parë në punë si e internuar në kampin e Tepelenës:  

“Merrnim dru në malin përballë, që quhej Mali i Luzatit, por unë nuk e dija se çfarë pune do të bënim. Unë isha e dërrmuar nga rruga e një dite më parë, ndërkohë që s’kisha vënë gjumë në sy kur na mbajtën në rresht se do të na nisnin në atë orë afër mëngjesit për në mal. Madje as dija se si do t’i merrnim drutë. Më vjen njëri dhe më zgjati një litar të bërë me gjalm që ata e quanin tërkuzë. “Merre tërkuzën tënde” – më tha. Por unë as dija që quhej tërkuzë dhe as dija ku do venim. Nuk vonoi dhe u hap porta dhe u nisëm të gjitha gratë dhe vajzat karvan drejt malit të thepisur. Karvani i këtyre njerëzve që ishin gratë, nënat dhe fëmijët e ministrave dhe shtetarëve më të lartë të viteve të kaluara përbëhej nga më shumë se 200 gra dhe 200 burra. Hymë në pyll dhe bëmë në një rrugë këmbësore nëpër monopat. Gjatë gjithë rrugës, i gjithë vargu shoqërohej nga policë të armatosur. Kur shkuam në lartësinë dominante të pyllit në malin e Luzatit, burrat u shpërndanë të prisnin drutë, ndërsa ne vumë litarët që t’i ngarkonim si kafshët.
Në darkë kur shkonim në shtëpi ishim të detyruara të merrnim gjithsecila drutë dhe t’i çonim për t’i shkarkuar në oborrin e Degës së Punëve të Brendshme për t’u ngrohur policët e shërbimit. Gjithnjë lëvizjen, edhe kur ishim të ngarkuar,a e bënim në rresht për dy me shpejtësinë që na diktohej dhe në çdo hap të shoqëruar nga policë. Pas shkarkimit të druve në Degën e Brendshme të Tepelenës, po në rresht na çonin në barakat tona për të na dhënë një garuzhde nga ai uji i nxehtë që e quanin çaj dhe na lejonin të shtriheshim për t’u çuar sërish në apelin e orës 4 të mëngjesit”
.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Related Posts