Uran Kalakulla përshkruan kampburgun e Rubikut, ku komanda dhe klima konkurronin për egërsinë
Kampburbu i Rubikut ishte ngritur në bregun e lumit Fan, këtej urës së atij qytetthi minatorësh tamam përballë malit, mbi të cilin atëherë ngrihej një kishë e bukur katolike, ku kishte pasqenë meshtar prelati dhe historiani i shquar Marin Sirdani. Rrethimi nga ana e lumit ishte (në pjesën më të madhe) me mur tullash, në mes të të cilit kishte (çuditërisht) një hapësirë nga mund të dilje në lumë. Kurse e gjithë pjesa tjetër, në formë katërkëndëshi, ishte i rrethuar me tela me gjemba, ku thuajse në dhjetë metra mes tyre, ishin ngritur kulla rojash me mitralozë dykëmbësh.
Aty ishte kantieri i ndërtimit të uzinës së re të shkrirjes dhe rafinimit të bakrit. Madje, në këtë uzinë do të kryhej shkrirja më e saktë e metalit të kuq dhe, gjithashtu, do të nxirrej s’andejmi edhe një përqindje ari të kulluar, më duket 1000 kg në vit. Pra, kjo uzinë, do të ishte një objekt strategjik. E, pikërisht neve, “armiqve të popullit”, “na besohej” ndërtimi i saj!
Në qoshen e këtij rrethimi të madh ishte edhe një rrethim tjetër, më I vogël, në të cilin ngrihej një karabina, e projektuar të ishte laboratori i saj. Ky objekt shërbente (sa kohë do të ishim aty), si vendbanim për ne skllevërit e rinj të punës së detyruar.
Të ikje nga Tirana dhe të vije në atë skutë, ishte një trishtim më vete, pa llogaritur kushtet dhe trajtimin tonë. Por ishim skllevër të prangosur a, më saktë, kafshë pune në sytë dhe mendjen e zotërve tanë, pushtetarëve komunistë.
Si në bllokun “Puna”, buzë Lanës, ku ndërtuam një varg banesash, edhe këtu, zyrtarisht ai objekt quhej thjesht “Reparti 307”-Rubik. Në letrat tona, familjeve kështu do t’ua vinim adresën tonë. Kjo bëhej që postat dhe populli të mos dinin se ai vend ishte me të burgosur politikë a, më saktë, me plot “armiq të popullit”. Fshehtësia dhe misteri ishin një nga tiparet themelore të pushtetit komunist, të cilat, në raste paradash ushtarake, dilnin në shesh, mes bulevardit, me topa e tankse, madje edhe me raketa, ndërsa sipër tyre fluturonin afër e kërcënueshëm e gjithë zhurmë shurdhuese, aeroplanët supersonikë ushtarakë. A thua të ishim ne një lloj arme më sekrete se ato armë! Apo ishim kryeturpi i atij regjimi?
Kuadri komandues i atij kampburgu ishte po ai i Tiranës, por këtu nisi të shfaqte haptas e me një dozë të madhe, gati në përkryerje, prirjet e tij kafshërore në trajtimin tonë, me një zell dhe egërsi të papërmbajtur. Prandaj ai (kampburgu i Rubikut), dëshmoi se kishte “meritën” të quhej vendi i disiplinës së hekurt, vendi i ndëshkimit shembullor, shumë afër (në mos edhe më keq), me burgun e Burrelit. Shembullin e tij do ta ndiqte më pas edhe kampburgu i Spaçit dhe ai i Qafë-Barit. Pas kapterëve e oficerëve, në atë kampburg, e shfaqi talentin e tij mizor vetë komandanti, koloneli lab, nga Kuçi i Kurveleshit, Bajram (apo labçe, Barjam) Konvarfaj (Korvafa).
Nga ana klimaterike, ai kampburg kishte edhe një veçori tjetër, atë të bashkimit të dy skajeve të klimës: atë siberiane, në dimër dhe atë ekuadoriale apo sahariane, në verë. Sikur ai dreq vendi të ishte zgjedhur enkas e me djallëzi për të zezën tonë!
Pas dy ditësh që shkuam atje, na nxorën në punë. Duhej të sheshonim vendin, të kryenim vazhdimin e punës që kishte lënë përgjysmë, “Reparti 309”, i kolonel Hazbi Lamçes. Tjetër basyret ky! Duket, siç thuhej mes nesh, Hazbiu, si mallakastriot, e kishte grurë me Mehmet Shehun dhe kishte rregulluar që nga Rubiku i ftohtë, të transferohej me gjithë efektivin e tij, në Laç, në ndërtimin e Uzinës së Superfosfatit, një fabrikë më e madhe kjo dhe në një vend të butë.
Ishte fillimi i janarit. Gryka e lumit Fan frynte si gjyryk nga veriu, duke sjellë aty thëllimin e maleve me borë e akull. Edhe anët e lumit sikur ishin kthyer në akull. Kurse toka ishte bërë shkëmb. I bije me kazmë me sa fuqi që kishe dhe nuk kapje dot asnjë plis, sado të vogël. Kazma kërcente përpjetë, sikur të kishte goditur në shkëmb. Nuk kishe asnjë mundësi t’i shmangeshe thëllimit që të priste si brisk. Duart e këmbët na bëheshin si kërcunj, sa gati nuk i ndjenim fare si pjesë të trupit tonë. Hund ana dukej se do të këputej po ta preknim me dorë. Sytë ishin me lot dhe avulli prej gojës kthehej menjëherë në akull, sidomos tek ata që mbanin mustaqe. Nuk kishe asnjë mundësi të ngrohje sadopak duart, qoftë edhe me hukatje, me frymën tënde. Zjarri ishte i ndaluar rreptësisht. Vetëm kapterët e punës kishin të drejtë të ndiznin aty-këtu, nëpër atë vend djerrë të mallkuar. Të përpiqeshe t’I afroheshe zjarrit, ishte njëlloj sikur të kërkoje të kaptoje rrethimin, veçse këtu nuk të shkrepnin mbi trup breshërinë e plumbave, por të ngopnin me shkelma e grushta dhe, si të lidhnin fort me pranga, të fiksonin pas ndonjë shtylle si Krishti ose muaj të tërë në birucat e nëndheshme me lagështirë e më të ftohta se bregu i lumit, tamam frigoriferë të vërtetë. Dhe puna aty ishte , si thotë populli: “Shpirt, a dole?”. Të përpiqeshe për t’u ngrohur duke punuar fort, si i marrë, që t’i shpëtoje edhe ulërimës prej ujku a çakalli të kapterëve? Bah, me çfarë energjie, kur kishe ngrënë vetëm një lugë languriq, me një kothere bukë që në pesë të mëngjesit? Ja, kjo ishte gjendja jonë atje. E, për më tepër, veshja jonë ishte prej zheleve (shumica prej doku) dhe, në këmbë, në vend të çorapeve, kishim ca lecka prej bezeje dhe për këpucë opinga llastiku, nga ato të gomave të vjetra të makinave. Vetëm në kokat e qethura zero kishim të drejtë të mbanim nga një kasketë të bardhë, po prej bezeje si leckat e këmbëve, të qepur nga ne vetë, si një lloj uniforme dalluese.
Marrë nga libri “21 vjet burg komunist” i autorit Uran Kalakulla, Botime Fjala, Tiranë 2008
Fotoja është ilustruese