Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Biruca e Degës së Shkodrës, ditë-netët mbi dyshemenë e zezë

blank

Një prej vendeve më të vështira të kujtesës për një ish-të burgosur politik të regjimit komunist…Si e përshkruan Ahmet Bushati qelinë e paraburgimit, ndjesitë dhe mendimet e një të arrestuari,  gjatë muajve të hetuesisë, shenjat në muret dhe hapësirën e ngushtë, të errët e të lagësht të “birucës”….

 

Ahmet Bushati, mes shumë kujtimeve të tij për periudhën e hetuesisë dhe viteve të burgut, përshkruan me imtësi qelitë e paraburgimit, ku mbaheshin të burgosurit gjatë periudhës së hetuesisë. Këtë vend vuajtjeje ai e përshkruan si më poshtë:

“Qelitë e paraburgimit do merrnin shpejt nga të burgosurit politikë emrin ‘Biruca’, kjo për vetë faktin se ato ishin të vogla dhe sasia e ajrit dhe e dritës që hynte brenda ishte tejet e papërfillshme.

Përmasat e qelisë mesatarisht ishin 2.2 x 1.4 m dhe kjo hapësirë e vogël ishte e gjithë Bota që rrethonte një të burgosur politik dhe përshtypja që krijohej ishte se ajo qeli e ftohtë dhe e vogël do ishte fati i tij për kushedi sa kohë. I burgosuri i porsandodhur, i vetëm brenda një qelie të tillë, nis menjëherë për të hetuar me kureshtje mjedisin aty – sadoqë shumë i vogël dhe i mbyllur- në kërkim për të gjetur ndonjë gjurmë jete të pararendësve të tij. Dyshemeja e qelisë ishte prej çimentoje, e zezë dhe gjithmonë me njolla lagështie.

Javët e para të hetuesisë ishin edhe më të vështirat për një të burgosur politik, pasi ditët e netët i kalonte i lidhur me pranga, pa ushqim dhe pa plaçka fjetjeje”.

Më tej Bushati kujton:

“Pavarësisht se familjarët nga jashtë do sillnin ushqim apo dyshekë, këto do lejoheshin vetëm me një urdhër të mëvonshëm që t’i dorëzoheshin në qeli të burgosurit. Ushqimi në ditët e para ishte vetëm një copë bukë e zezë në vakt dreke e shoqëruar me një tas uji të akullt, të cilat kaloheshin nga roja i shërbimit nëpërmjet sportelit që ndodhej në derën e qelisë.

Në fundin e korridorit të burgut gjendej dhe W.C, në të cilën të burgosurit shkonin tek e tek me radhë, gjithmonë të shoqëruar nga roja i shërbimit dhe zakonisht detyroheshin të kalonin korridorin pa këpucë dhe pa folur dhe e gjithë kjo duhej të kryhej në një kohë jo më shumë se 2 minuta. Për të fjetur flinin në çemento, ashtu siç ishin me pranga ndër duar, të strukur në një cep të qelisë.

Për të burgosurin nën hetim, idea e thirrjes lart në zyrën e hetuesit, do të ishte një torturë e vërtetë. Zakonisht të burgosurit thirreshin në zyrë për t’u pyetur dy herë në ditë. Hetuesi do të kërkonte me këmbëngulje që i burgosuri t’i pohonte ato akuza që i interesonin qëllimit të një procesi të caktuar, gjë për të cilën i burgosuri rri e i mendon brenda në birucë, duke formuluar përgjigje për çdo pyetje të mundshme të hetuesit.

Rastet, në varësi të shkallës së torturave e të vetë karakterit të të burgosurit, ndryshojnë nga një i burgosur te tjetri, duke filluar nga ato që do rezistonin, derisa të mbeteshin të vdekur ndër duar të hetuesve të tyre, e deri tek ata që iu ishin bindur hetuesve të frikshëm qysh ditën e parë apo të dytë dhe që, për pasojë, kishin pranuar të nënshkruanin një proces me akuza nga më të paqenat si për vete, ashtu edhe për shokë e miq të tyre”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Related Posts