Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Kampi i Skrofotinës

blank

Rrëfimi i Sofikës, bashkëshortes së Bardhi Carës, të cilin pasi  e dënuan për motive politike, e dërguan fillimisht në kampin e Skrofotinës

Kampi i burgut këtu ishte i futur prapa një kodre me ullinj, e cila kishte pamje nga ana e detit e, nga rruga kryesore që ne zbrisnim, nuk dukej fare. Aty të burgosurit punonin si skllevër e nxirrnin kripë…Nuk ka kalem që t’i shkruaj tmerret e burgut! Sepse rastet e ngjarjet e hidhura ishin të shumta në ato 3-4 vjet që Bardhi qëndroi aty. Po ju tregoj vetëm një rast: Për të shkuar në burg, ishte më kollaj sepse kishte dy autobusë, por edhe ndonjë makinë të rastit, biletat priteshin në agjenci një ditë para, për linjën Fier-Vlorë. Më e keqja ishte kthimi, se autobusët mbusheshin në Vlorë, jashtë vendeve nuk merrnin më, sepse kontrollet e policisë rrugore ishin të rrepta. Makinat e rastit, edhe ato vinin të zëna, por më e keqja ishte se edhe ato makina tek-tuk, që mund të kishin ndonjë vend, nuk ndalonin, kishin frikë, sepse pak më tutje rrinin ata të kontrollit rrugor. Shumë herë na binte radha të ktheheshim deri tek ura e Mifolit në këmbë, deri në Levan, por shumë rrallë në Fier vinim në këmbë. Ja, qëlloi dhe ky rast, që erdhëm nga Panajaja e Vlorës në Fier, në këmbë. Ditën e takimit, një herë në muaj, do t’I çonim ato pak ushqime që ua hiqnim nga goja fëmijëve. Në atë kohë ushqimet ishin me listë, me racion (!) Shumë herë na shkonte rruga huq, sepse policët na thoshin:

-Sot nuk keni takim me Bardhin, se është i dënuar për kokëfortësi,-as ushqimet nuk i pranonin. Për një nga këto ditë dimri do t’ju tregoj, që ishte dita e takimit. U nisëm me kunatin dhe fëmijët, meqë kishim dy muaj rresht që s’i merrnim ata e Bardhi na i kishte kërkuar. Koha ishte pak e ftohtë, por pa shi, veç me disa re të murrme. Kur mbërritëm në kamp, për fat të keq, nuk na lanë në takim, as ushqimet nuk i pranuan, me gjithë lutjet tona. Bardhi ishte dënuar përsëri. Nga ora dymbëdhjetë e drekës ikëm nga kampi, për t’u kthyer në shtëpi. Koha u nxi, retë filluan të shtoheshin; pas pak nisën bubullimat, vetëtimat dhe pas tyre nisi një shi i lehtë. Ishim afër detit! Në atë pozicion që ishim, si në fushë të mejdanit, nuk kishte vend ku të fusje kokën. Ishte shumë ters! Disa makina që kaluan, u nxorrëm dorën, por nuk na morën.

blank
Sofika Cara Prifti

Shiu sa vinte dhe dendësohej, vetëtimat të prishnin sytë, fëmijët kishin frikë shumë, bubullimat të shurdhonin daullet e veshëve, ndërsa shiu shoqërohej nga një erë e ftohtë. Sikur të mos mjaftonin këto, s’e la mangut as breshëri (kjo zonë shquhet për këtë kohë të keqe). Jo vetëm të vegjëlit që kishim me vete, por edhe ne të mëdhenjtë kishim frikë. Ishte një nga më të këqijat ditë të dimrit ndoshta ajo që po përjetonim ne. Kur ishim nisur, kishte qenë ditë e mirë, s’na e mori mendja se do të kalonim këtë të keqe. Djali ishte 5 vjeç, vajza ishte 9-muajshe, e lidhur kopanec. Të dy të vegjëlit filluan të qanin; djali ishte shumë i shëndetshëm, kunati e kapi prej dore, e ngjeshi pas vetes e pas pak ai pushoi së qari. Kunati kishte në krahë edhe çantat me ushqime, që nuk na i pranuan. Bashkë me ne ishin dhe dy hallexhinj të tjerë, vëlla e motër nga Elbasani. Edhe ata kishin një vëlla në burg, të cilin e takuan, por edhe neve na ndihmuan shumë atë ditë. Ata ishin katër, dy vëllezër dhe dy motra të pamartuara nga gangrena “lufta e klasave”… Njerëzit kishin frikë të martoheshin me këta fatkeqë. Në ato kohë ecnim e ecnim dhe nuk vinim re ku i hidhnim këmbët, duke llapashitur nëpër gropat e rrugës, të mbushura me ujë…Avash, avash arritëm tek ura e Mifolit e djali filloi të ecte përpara, por kur arriti tek ura, ai ndaloi. Vjosa ishte fryrë nga shirat e shumtë që kishin rënë e uji i turbullt kishte nisur ta mbulonte urën dy-tri pëllëmbë. Ishte pas dreke vonë! Uji i shiut na kishte hyrë nëpër trup, deri në palcë; rrobat na rëndonin, aq sa mezi i hidhnim këmbët. Të ftohtët e asaj dite dimri na kishte hyrë edhe në zemër, mjekra na dridhej, fjalët që donim t’i flisnim njëri-tjetrit, na dilnin copa-copa, se na kishin ngrirë në buzë si akulli. Fëmijët ishin zbehur nga të ftohtët, mishi e qimet u ishin ngritur përpjetë si gjembat e iriqit. Duart e mia të ngrira mezi po e mbanin vajzën kopanec, që qe rënduar nga uji i shiut. Me gjithë këto halle që kishim, na duhej të nxitonim sepse Vjosa kishte dalë mbi urë dhe, sa vinte, uji e ngrinte nivelin. Dielli kishte shumë që kishte perënduar, po errej. Të mos kalonim, s’kishim ku të rrinim! Atëherë i vumë detyrë vetes ta kalonim urën e të shkonim drejt Levanit për ndonjë makinë…Djali qe i vogël, i shkurtër e, kur hyri në urë, uji i vinte deri te barku! Kunati e kapi shpejt, e mori në krahë, kurse çantat i morën miqtë nga Elbasani. O Zot! Vetëm ti më dhe forcë e kurajo…

 

Marrë nga libri “Të falësh…Fisi i vjetër kavajas-Cara”, i autores Sofika Cara Prifti, botim i ISKK, Tiranë 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Related Posts