Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

Në burgun e vjetër të Shkodrës

blank

Gjendja e burgut të madh të Shkodrës në vitin 1945, përshkruar nga i dënuari politik, kleriku italian Giacomo Giardini, S.J.

Mbasi mora “shpërblimin e merituem”, me vendimin përmbarues (28 gusht 1945), më transferuan në burgun e vjetër të Shkodrës, i quejtun Burgu i Madh, që gjëndesh mbas Prefekturës. Kishte qenë ndërtue në kohën e turqve, kur sundonte Porta e Naltë. Një ndërtesë me përmasa mesatare dhe e tmerrshme përsa i përket rehatisë: në të vërtetë allaturka! Ishte katërkandshe me dy kate: në një anë gjëndesh drejtoria e trupi i policisë, në tri anët e tjera, të burgosunit. Kishte dy ose tri dhoma për të smundët e disa qeli përgjithësisht të vendosuna në nënshkalla, për me veçue të burgosunit ma të rrezikshëm ose të nënshtruem regjimit të rreptë.

Përmbrenda, një oborr prej 25X8 metra, në qendër me një pompë dore për me nxjerrë ujin nga pusi. Banesat ishin të përbame nga katër dhoma të mëdha e të kqija me dysheme dërrasash. Çdonjëra mund të zinte, të shtrimë për tokë, në katër rreshta 50 deri 60 njerëz. Natën, sidomos në kohën e grumbullimit ma të madh, dukesh si qilim trupash e një pështjellim kambësh të kryqzueme. Nën at qilim rrijshin në pritë koloni të dendura parazitësh.

Nga oborri i vogël, në katin e poshtëm, ishin nevojtoret, të vendosuna në një rruginë pa dritare, pa ujë, me pesë ose gjashtë “vende” allaturka, dmth biruca të thjeshta në dysheme që çojshin ndysinat drejtpërsëdrejti në hendek; prandaj era e qelbësisë ishte e padurueshme. Në anët e oborrit, nën shkallët për në katin e sipërm, dy biruca shërbejshin për banjo e po ashtu me ndëshkue të pandëgjueshmit, tue I rrahë me shkop ose tue u lëshue kova me ujë të ftohët, ose tue i ba me ndejtë gjithë natën me krye ulun nën shkallë e me kambët e zhytyna në ujë deri në gjuj, ndëshkim të cilin edhe unë kam pasë rastin me e provue.

I vetmi vend për pastërtinë e mëngjesit ishte për të gjithë pompa e ujit midis oborrit. Gati çdo ditë na qitshin me shëtitë rrotull për një orë mbrenda oborrit të vogël nën mbikqyerjen e rojeve të armatosura. Pa radio, pa informata. Kontrollimet ishin të rrepta. Çdo thyemje e rregulloreve ose një dyshim i thjeshtë, shkaktue, ndoshta, nga një spiun rrenacak paguheshin me të rrahuna shkopijsh sa me ta zhgulë çdo fije vullneti. Ushqimi përbahesh prej 700 gramë buke, së shumti bukë misri e ujë te pompa. Këto ishin elementet e zakonshme të krejt jetës sime si i burgosun. Ndonjë përmirësim i vogël u ba…por baza mbeti e njëjta.

Si e kam theksue ma parë, ambienti ishte i fëlliqun nga parazitët: çimra e pleshta, por ma të tërbuem ishin morrat, aq sa askush nuk ia dilte me u shporrë sish edhe pse u kujdesonte për pastërtinë.

Shënim: Fragment nga libri “Dhjetë vjet burg në Shqipëri” i Giacomo Gardini-t. Pjesa është shkëputur nga përmbledhja “Antologjia e plagëve nën terrorin komunist”, botim i QSHRT.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Related Posts