Kampe të hapura
(1954-1990) Me mbylljen e kampeve me tela me gjemba, fshatrat e Lushnjës dhe Fierit u kthyen në qendrat kryesore të internimeve.
Në vitet 1962-1963 në rrethin e Lushnjës kishte mbi 1200 persona të internuar dhe afërsisht po aq në rrethin e Fierit.Të internuarit jetonin në baraka të improvizuara dhe punonin në bujqësi, tashmë jo më të rrethuar.
Megjithatë një rrethim i padukshëm i qarkonte pa pushim. Ata paraqiteshin tri herë në ditë në apel dhe nuk mund të largoheshin nga vendi i internimit pa lejë.
Shumica e vendimeve për internime dhe dëbime kishin arsye politike dhe nga kjo arsye, prirja për arratisje ishte kryesorja. Familjeve të armiqve të përjetshëm: Biçaku, Mirakaj, Pervizi, Kupi, Dosti, Dema, Dine, etj., iu ripërtërihej vazhdimisht dënimi dhe shumë prej tyre kaluan në internim mbi 40 vjet. Klora Mirakaj Merlika ishte 10 vjeç kur shkoi në internim dhe gjyshe kur doli prej andej.
Harta e Shqipërisë u shenjua me qindra vende të reja internimi. Fshatrat ku janë internuar armiqtë e pushtetit, janë shumë më tepër sesa njeh një shqiptar mesatar.