Mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung
AL / EN

“Universiteti” i Burrelit

blank

Kushtet, birucat, intelektualët, librat, ridënimet. Një përshkrim i burgut të Burrelit, përmes kujtimeve të Uran Kostrecit, rrëfyer Erald Kaprit, për Kujto.al.

 

Intelektualët 

Po, ka qenë Simon Jubani. Kam pasur muhabet me atë. Kur vajta sefte në ’63-shin, kam gjetur njerëz shumë të mirë. Kur them shumë të mirë, në kuptimin që ishte nga ajo përbërja e kastës së vjetër, që ishin të burgosurit politikë, autentikë edhe nja  5 a 6 prej tyre ishin intelektualë të klasit të parë. Po gjeta Kudret Kokoshin, nga Vlora; gjeta Engjëll Çobën, nga Shkodra; gjeta Et’hem Haxhiademin, dramaturg dhe përkthyes i mirë nga Elbasani. Këta ishin të vjetër të gjithë në moshë, por në ndryshim nga të rinjtë e tjerë, unë me këta rrija, se e ndieva që nga këta mund të përfitoje dhe përfitova vërtet. Ishte… kush tjetër? Koço Tasi nga Përmeti, jurist. Nga ky kam marrë mësime filozofie. Domethënë me këta njerëz, por dhe të tjerë që, edhe pse s’ishin të këtij niveli intelektual dhe arsimor, ishin njerëz të mirë, kam qëndruar. Aq e vërtetë ishte kjo që po them unë, sa mua më futën në dhomën nr.8.

…Aty gjeta dhe Engjëll Çobën, i cili kishte pasur miqësi edhe me tim atë. Pra, me disa nga ata të vjetrit, influencoi edhe miqësia e tim eti me ta dikur, edhe unë e pata më lehtë të afrohesha me ta, ose më mirë të themi ata më afruan mua, edhe, po përdor një folje jo aq të rregullt, në kuptimin figurativ, unë dita t’i mjel këta. T’i mjel, me kuptimin e mirë të fjalës, pra, të marr diturinë e tyre, aq sa munda. Po! Edhe ata e lejuan veten të milen prej meje. Kishin vërtet dëshirë të më ndihmonin. Aty mësova italisht, aty komentova Dante Aligheri-n, aty mësova edhe historinë e filozofisë, edhe shumë gjëra të tjera. Aty njoha dhe historinë e Shqipërisë, për herë të parë, se ajo që kishim bërë në shkollë qe kot.

Dhomat 

Kishte 10 dhoma Burreli. Ishte 120 metër i gjatë, çimento i gjithë, me katër dritare çdo dhomë. Dhomat ishin 8 e gjysmë me 5 e gjysmë m, standarde. Mua më futën në dhomën nr.8, ashtu rastisi. Atje ishin 33 veta, rrinin në çimento, me ndonjë jatak, ndonjë shtronte rrogoz, ndonjë s’kishte, vonë pastaj në ’73-shin vunë ca dërrasa që e lehtësoi pak gjendjen, se kishte lagështirë. Por ajo që duhet t’u them, se është me interes: në ato vite kur vajta unë, mbahej akoma tradita e burgut tamam. Ishin 33 veta, edhe, me keqardhje e them, vetëm njëri qe spiun, s’po e them emrin, ka vdekur, nga Myzeqeja. Të 32 ishin njerëz të mirë shumë.

 

Librat

Tani, siç e thashë, situata në Burrel nuk qe e lehtë, qe e vështirë. Dhe për nga disiplina e hekurt, Burreli, mund të them që shquhej për keq. I vetmi avantazh atje, për neve, për mua në mënyrë të veçantë që isha njeri që merresha me libra, ishte që nuk kishte punë dhe tërë ditën, në qoftë se ishe i zoti dhe kishe vullnet, ti mund të merreshe me libra. Tani del vetvetiu pyetja që mund të bëni ju: Ku i gjenit librat? Libra në Burrel, në ndryshim me kampet e tjera të përqendrimit, kishte në gjuhë të huaj: italisht, frëngjisht, pak gjermanisht edhe pak anglisht, po italisht shumë. Pse? Sepse ata Burrelin e kishin caktuar dhe destinuar për njerëz që do të shuheshin, do të masakroheshin, do asgjësoheshin, kështu qe plani i parë. Edhe kanë menduar, që me libra, pa libra, ata do ikin…Pastaj u ndërrua një çikë atmosfera dhe u ndërrua dhe plani, ata e dinë sesi vajti puna. Për inerci, librat mbetën, deri më ’73-shin, por unë atje vajta në ’63-shin. Deri në ’73-shin i pata dhjetë vjet në dispozicion librat, edhe i shfrytëzova aq sa munda. Meqë kam qenë i librave gjithnjë, unë përfitova shumë. Për brezat që erdhën, për të rinjtë, brezi i tretë t’i themi që erdhi pas ’73-shit, edhe që nuk ishin aq shumë të librave, se erdhën dhe kategori pak të papërgatitura, e patën të vështirë se librat i mblodhën ata në ’73-shin.

Biruca

Në Burrel, biruca qe shumë e vështirë. Qe e ftohtë, në dimër sidomos, aq sa të them të drejtën, aty ka pasur shumë raste që njerëzit kanë marrë plevit, kanë dalë dhe kanë vdekur pas gjashtë muajve, ose një viti. Unë, falë Zotit mbi të gjitha, por edhe falë organizmit tim, por edhe falë genit, se dhe geni ka të bëjë, unë rezistova. I kalova këto ftohje, herë me ilaçe, herë pa ilaçe, edhe ja ku jam, se normalisht dhe në mënyrë të natyrshme do të kish qenë më shumë e mundur që unë të kisha vdekur, po duket që Zoti i ka caktuar vetë jetët e njerëzve edhe unë falë Tij, jam gjallë sot.

Ridënimet

Tani, tjetër hollësi e Burrelit që duhet ditur është që filluan dënimet e dyta. Ato u bënë të tmerrshme, u bënë makth i madh se njeriu nuk kishte asnjë garanci se kur mund të mbaronte dënimi i tij në burg. Unë për fat të keq në ’73-shin u dënova prapë. Pata një mërzi, nja gjysmë ore, se aq e kam unë. E mblodha mendjen. Burgu filloi nga fillimi.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Related Posts